U mblodh dje Këshilli Bashkiak i Tiranës për të miratuar 18 projektvendime në rend dite, shumica prej të cilave me karakter ekonomiko-social, dhënie ndihme ekonomike, bonus qiraje, emërtime rrugësh e shumë vendime të tjera.
Gazeta ka siguruar listën me përfituesit më të rinj të qirasë mujore të paguar nga fondet e bashkisë dhe përfituesit nga bllok-ndihma ekonomike prej 6 për qind. Në total janë 310 emra, 61 prej të cilëve marrin bonus mujor nga 14 mijë deri në 25 mijë lekë.
Përpos tyre janë edhe 249 qytetarë të tjerë nga kategoritë në nevojë, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike në një masë të vogël. Përfituesit janë të shpërndarë në të gjitha njësitë administrative dhe lagjeve të Tiranës. Të dy këto programe si edhe të tjera janë pjesë e programeve sociale të bashkisë në ndihmë të kategorive në nevojë në kryeqytet.
BONUSI I QIRASE
Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për të përfituar bonus qiraje 1-vjeçar është më i lartë se ai i fituesve.
“Komisioni i Strehimit mori në shqyrtim dosjet e familjeve që kanë aplikuar dhe kanë dorëzuar dokumentacion për trajtim me programin e “Subvencionimit të Qirasë”, sipas listës së inventarit bashkëlidhur këtij procesverbali, të nënshkruar nga përfaqësues të Sekretariatit Administrativ. Komisioni i Strehimit zhvilloi mbledhje në datën 25.09.2024. Procesverbali i Sekretariatit Administrativ dhe Komisionit të Strehimit janë pjesë përbërëse e këtij relacioni.
Të gjithë formularët e seleksionuar si të vlefshëm gjatë fazës së parë të shqyrtimit u shoqëruan me të gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesit. Llogaritja e të ardhurave për personat e vetëpunësuar është llogaritur nga vërtetimi i derdhjes së kontributeve dhe nga bilanci i njësuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore”, – citohet në relacionin shoqërues të vendimit, i cili vijon më tej me mundësinë për të dhënë bonuse edhe për qytetarët e shkualifikuar për qëllim dokumentacioni.
Këta të fundit shpallen fitues me kushtin që brenda muajit të kenë depozituar dokumentin mangët, në të kundërt masa e qirasë iu ndërpritet. Relacioni i projektvendimit të marrë dje në këshill parashikon edhe penalitete për ata që kanë depozituar dëshmi të rreme. “Referuar parashikimeve të ligjit 22/ 2018 “Për strehimin social”, i ndryshuar, parashikohet se individi/familja që ka përfituar nga programet e strehimit, duke paraqitur të dhëna të pavërteta të pasakta, ose në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e parashikuara në këtë ligj, detyrohet të rimbursojë shumën e përfituar padrejtësisht”.