Policia e Tiranës zbardh plagosjen e 3 shtatorit në Don Bosko ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Është shpallur në kërkim me vendim gjykate “arrest në burg” njëri prej autorëve, i konfirmuar me prova.
Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç po pinin kafe në verandën e një lokali më 3 shtator 2024 në Don Bosko, në afërsi të OSHEE-së kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45 vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushi 22 vjeçar u plagos në këmbë.
Autorët që mendohet se ishin 3, në pak sekonda shtinë 7 plumba, dhe u larguan me shpejtësi duke djegur makinën e krimit. Brenda saj u gjet pistoleta me kalibër të vogël 7.65 mm, e pajisur me silenciator, që u përdor në krim.
Automjeti tip “Golf 5” që u përdor në atentat ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës. Shkaku i këtij atentati akoma mbetet i paqartë, por e shkuara kriminale e njërit prej të plagosurve, Kastriot Elezaj, i dënuar më për prostitucion në Itali, vijon të jetë pistë kryesore për hetuesit.