220 mijë eurot që u morën nga një taksi në Tiranë janë vjedhur nga 4 shtetas gjeorgjianë. Në kërkim janë shpallur: Levan Kiria, 30 vjeç, Tengiz Natchkebia, 36 vjeç, Noshrevani Kutalia, 30 vjeç, Yousuf Bozkurt, 31 vjeç. Në njoftimin zyrtar që dha Policia e Shtetit sot për ngjarjen, u zbulua se autorët kanë përdorur një makinë dhe një motor për grabitjen e taksistit që sapo kishte dalë nga një pikë “exchange” dhe që paratë i kishte futur në një pako. Por autorët edhe pse janë identifikuar nga kamerat e biznesve në zonën e ish-Bllokut, asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në pranga.

Dinamika e grabitjes

Sapo taksisti i identifikuar vetëm me inicialet N.B., doli nga pika e këmbimit valutor ku edhe kishte marrë paratë, u fut nxitimthi në mjetin e tij. Paratë, sipas porosisë që kishte marrë do i depozitonte në një bankë të nivelit të dytë. Por sapo është futur në makinë, dy prej autorëve i janë afruar dhe i kanë thyer xhamin e makinës duke i marrë kështu pakon me para. Nga vendi në ish-Bllok ku ndodhi ngjarja, kanë shkuar tek stadiumi “Dinamo”, ku po i prisnin me makinë dy të tjerët. Më pas, janë zhdukur. Por kanë lënë pas motorin, i cili rezulton se është blerë një shtetasi rus që deri më tani nuk është identifikuar. Gjithashtu, mësohet se gjeorgjianët kanë hyrë në vendin tonë nga Maqedonia e Veriut, duke marrë atje një makinë me qira, më pas, në Shqipëri kanë blerë motorin me të cilin u bë grabitja.

Policia ka dyshime se pjese e grupit të gjeorgjianëve mund të jenë edhe persona të tjerë që kanë pasur informacion për transportimin e parave. Po rende nuk janë zbuluar. Gjithashtu, nuk dihet as kush i sillte këto para në Tiranë. Nuk përjashtohet mundësia që të jenë para të një grupi kriminal. Në dosjen e SPAK për vëllezërit Çopja, ka pasur dëshmi të rasteve të ngjashme ku grupet sjellin paratë e drogës në Shqipëri pikërisht përmes këtyre pikave dhe më pas i shpërndajnë në Shqipëri sipas nevojave. Mirëpo deri më tani, Policia nuk e ka zbuluar se kush i sillte këto para dhe në emër të kujt do të depozitoheshin në bankë.

NJOFTIMI I POLICISË:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Taxi”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja e një shume parash në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, më datë 04.10.2024. Punohet për kapjen e 4 shtetasve gjeorgjianë, autorë të dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taxi”. Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje.Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.

Rreth 220 mijë euro u grabitën më 4 tetor në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit e Komisariatit nr.2 kanë marrë në pyetje pronarët e “exchange”-it dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen. Kjo pasi ka dyshime se grabitësit kanë pasur informatorë dhe kanë mësuar me detaje lëvizjet e taksistit për të bërë edhe vjedhjen e parave.