Mercure Hotel ka konfirmuar për se arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta është filmuar nga ambientet e këtij biznesi. Por, në mënyrë të paplanifikuar. Nisur nga teoritë që po qarkullonin në rrjet, ZËRI dërgoi një kërkesë për informacion në adresën zyrtare të emailit të Mercure Hotel, duke qenë se po raportohej se në katin e dytë të këtij hoteli, ishte vendosur nga kamera sigurie me urdhër nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, për të filmuar arrestimin e Metës.
Në përgjigjen zyrtare për ZËRI-n, Mercure Hotel konfirmon se arrestimi është filmuar nga një punonjës i tyre, por krejt rastësisht dhe në pa dijeni të çështjes dhe personit për të cilin po flitej në ngjarje. Më pas, videoja, siç sqaron biznesi, është publikuar në mënyrë të pavetëdijshme menjëherë në rrjetet sociale personale të punonjësit dhe gjithçka ka vazhduar pa ndikimin e Mercure Hotel.
Në këtë mënyrë, hoteli përjashton dhënien e urdhëri nga Ministri i Brendshëm apo kushdo tjetër, për vendosjen e një kamere me qëllim filmimin e arrestimit të Metës.
“Bazuar në E-mailin e mëposhtëm, ju njoftoj se gjatë orarit dhe proçesit të punës në ambientet e Mercure Hotel, Kjo video është regjistruar duke tërhequr vëmendjen e punonjësit në mënyrë krejt të rastësishme dhe në pa dijeni të çështjes dhe personit për të cilin po flitej në ngjarje! Video është publikuar, në mënyrë të pavetëdijshme menjëherë në rrjetet sociale personale të punonjësit dhe siç e dini, gjithçka ka vazhduar pa ndikimin e Mercure Hotel. Përsa i përket kamerave kemi vetëm ato interne, të brendëshme për mbarëvajtjen e proçeseve të punës. Në asnjë moment në ambientet e Hotelit nuk ka pasur persona të jashtëm, përtej punonjësve të Mercure Hotel dhe klientelës përkatëse. Kjo është gjithçka që mund të informojmë për ngjarjen. Me respekt! Mercure Hotel Tirana,”- thuhet në përgjigje./ Pergjigjen per lajmin ia kanë dhënë Zëri.al