Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonici lidhur me çështjen e ushqimit të ushtarëve. Ai ka kërkuar zgjidhje konkrete, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa.
Në letrën që ka siguruar Gazeta Insajderi, shihet se Jashari i është drejtuar me datën 7 tetor ministrit me kërkesën, duke i sqaruar se personeli në kuzhina i angazhuar nga institucionet e tjera ka theksuar se deri me datë 11 tetor do të paraqitet në punë. Si rrjedhojë nga kjo datë mbesin pa kuzhinierë, ndaj sipas tij ata do të detyrohen t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.
Mes tjerash, në këtë letër ai thekson edhe mundësinë e helmimit e infeksionit të ushtarëve, si pasojë e kushteve jo të duhura edhe sanitare.
“Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, thuhet në kërkesën e tij
Sipas tij, krejt këto probleme po ndikojnë në kryerjen e detyrave.
“Të gjitha këto probleme ndikojnë për FSK-në, në kryerjen e detyrave operacionale për përmbushje misionit, kurseve zhvillimore, stërvitjeve fushore dhe aktiviteteve tjera, konform planifikimit“.
“Për më tepër, personeli në kuzhina të cilët janë të angazhuar nga institucionet tjera, kanë deklaruar që deri me datën 11.10.2024 do të paraqiten në punë, pastaj nuk do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së“.
Më tej, Komandant i FSK-së foli për secilën gradë të personelit duke treguar se sa racione iu duhet të konsumojnë gjatë kohë se janë në punë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi ndër të tjerat shprehimisht parashihet: Personeli i FSK, rekrutēt, kadetët kanë të drejtë në një (1) racion të ushqimit gjatë orarit të rregullt të punës; Pjesëtari, i cili është në shërbim/detyrë më gjatë se orari i rregullt i punës dhe koha e qëndrimit në detyrë është më shumë se dymbëdhjetë orë (12h), por jo më gjatë se gjashtëmbëdhjetë orë (16h), ka të drejtë në dy (2) racione të ushqimit, Pjesëtari aktiv i FSK-së, i cili është në shërbim/detyrë njëzet e katër orë (24h) pa ndërprerë, ka të drejtë në tri (3) racione të ushqimit, Pjesëtari aktiv i FSK-së, i cili është në shërbim kujdestarie njëzet e katër orë (24h) dhe pjesëtari i fushës së specializuar që merr pjesë në operacione, trajnime të veçanta që kërkon aktivitet të lartë fizik kanë të drejtë edhe për ushqim shtesë“
Komandati i FSK ka kërkuar nga Maqedonci e Dugolli që t’i jepen udhëzime se si të veprojë më tej.
“I nderuar z. Ministër dhe z. Sekretar, bazuar në atë që u cek më lartë ju lutem të jepen udhëzimet e duhura se si do të veprohet nga data 11.10.2024 e tutje. Pasi që, mos paraqitja e personelit nga institucionet tjera në kuzhinat e FSK-së, vonesat në furnizim me artikuj ushqimor dhe sanitar dhe rreziqet për pasoja shëndetësore do të na detyrojnë që të marrim masat për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve e planifikuara dhe të funksionojmë vetëm me staf esencial“, thuhet në letrën e Jasharit për Ministrinë e Mbrojtjes.
Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më të diskutuara së fundmi në vend, e para, për cilësinë e dobët e edhe për shkak të skadimit të kontratës për furnizimin me ushqim.
Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se që nga viti 2015 furnizimi është bërë në mënyrë emergjente dhe në minutën e fundit, çka ka krijuar hapësira për keqpërdorim.
“Njëra ndër qëllimet kryesore që ka qenë edhe i vendosur në programin e LVV-së, ka qenë që të krijohet sa më shumë vetë qëndrueshmëri në ushtri. Vetëqëndrueshmëria në ushqim është bazike për funksionin dhe për operacionalitetin e FSK-së”.
“Prandaj përmes këtij koncepti, përveç që do të kursejmë para, do të kemi një siguri në aspektin e furnizimit të njësiteve tona me ushqim, dhe do të kemi një mos-varësi për elementet bazike nga operatorët që nuk do të ishte e keqe në gjendje normale por nuk mund të planifikohet që të bëhet kur kemi operacione dhe luftime…”, deklaroi ai