Durim Bami, një nga emrat më të kërkuar dhe më të lakuar të botës së krimit, vijon të jetë ende në Dubai. “I forti” i Niklës është ende në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore për t’u ekstraduar në Shqipëri. Kështu, ai do të bëhet personi i tretë që ekstradohet nga Dubai, pas Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes.

Por përse është arrestuar në Dubai Durim Bami? Siç shkruan për “OraNews” gazetari Elton Qyno, arrestimi për herë të dytë i Bamit në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen si pasojë e kushtit të garancisë që ka “thyer” vetë Bami. Për arsye që nuk dihen, ai nuk ka pranuar që të paraqitet vullnetarisht në rajonin e Policisë në Dubai. Autoritetet vendase i kanë dërguar 3 “emaile” por Bami nuk i është përgjigjur asnjërës prej lajmërimeve që kërkonin paraqitjen e tij në rajon.

Ndaj nisur nga ky refuzim, Bami është ndaluar në mes të rrugës teksa ndodhej duke ecur me familjen e tij. Teksa është përballur në gjykatë me këtë situatë të krijuar për shkak të mos përgjigjes ndaj tre kërkesave të dërguara përmes postën elektronike, Bami është mbrojtur duke pretenduar se nuk e ka kuptuar gjuhën dhe qëllimin se përse Policia i ka dërguar email. Por pretendimet e tij nuk e kanë bindur Gjykatën, ndaj është lënë në burg edhe pse Durim Bami ka kërkuar që të mos ekstradohet në Shqipëri. Për të, kjo është një lëvizje “vrastare” pasi i rrezikohet jeta për shkak se 16 persona kërkojnë ta vrasin.

“Durim Bami, duket se është përballë një zgjedhje për të firmosur deportimin e tij nga Dubai në një shtet tjetër ku ai e ndjen veten i sigurt ose të vendosi një garanci financiare në një bankë në Dubai, me qëllim lirimin e tij nga qelia,”-shkruan gazetari.

Herën e parë, ai u ndalua së me vëllain e tij Valter Bamin në kuadër të operacionit “Revanshi”. Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshiheshin prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK. Sipas dosjes së fundit të SPAK, “Revanshi”, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës. Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”.