Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi është pyetur së fundmi nëse do të flasë personalisht me kryetarin e PD-së, Sali Berishën për votimin elektronik ndërsa partia e tij e ka refuzuar këtë metodë votimi. Celibashi në fjalë e tij u shpreh se ka komunikimin shumë të mirë me përfaqësuesit e të gjitha niveleve të të gjitha partive.

Ai theksoi se nuk është e nevojshme ndërsa shtoi se nuk ka konstatuar nevojën për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë si me kryetarin e PS-së dhe atë të PD-së.

“E kam komunikimin shumë të mirë me përfaqësuesit e të gjitha niveleve të të gjitha partive. Kam komunikim të drejtpërdrejtë me përjashtim të drejtuesve të partive kryesore politike. S’kam konstatuar që kam nevojën për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë si me kryetarin e PS dhe atë të PD. Nuk shoh që ka nevojë, për aq sa ka qenë rasti për të patur komunikim të tillë të mos ketë funksionuar ai komunikimi që kam në përditshmëri me të autorizuarit prej tyre për të komunikuar me KQZ”, tha Celibashi.