Një aksident tragjik i mori jetën një të riu në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, pranë zonës së Sukthit.
Viktima Sabri Kreka pritej të festonte 20-vjetorin e lindjes më 19 nëntor, por fatkeqësisht humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë rrugore, që ndodhi pas mesnate.
Sipas burimeve policore, automjeti që drejtohej nga i riu doli nga rruga pasi ai humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit, ndërsa dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë.
Përplasja ka rezultuar fatale, duke shkaktuar dëmtime të rënda që i morën jetën 20-vjeçarit në vendin e ngjarjes.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes, ndërsa familja dhe të afërmit e të riut janë përballur me një dhimbje të madhe, pikërisht në prag të një momenti që do të duhej të ishte festë.
Kjo e hënë ka qenë fatale dhe për një 10-vjeçar, i cili humbi jetën pasi ra aksidentalisht nga lartësia e një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës.