Një lajm i bujshëm u raportua më herët, ku bëhet me dije se dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno janë arrestuar.
Teksa ende nuk ka një konfirmim nga ana e SPAK, në “Shqipëria Live”, avokati Jordan Daci ka deklaruar se ka informacione, por duke qenë se ngjarja është ende e pakonfirmuar zyrtarisht, ai nuk mund të flasë më tepër. Megjithatë, ai shtoi se bëhet fjalë për disa urdhër-arreste, mes tyre edhe për ish-gjyqtarë.
““Unë si avokat nuk kënaqem kur ka arrestime, nuk sjell asnjëherë pozitivitet. Tani po ndodhin arrestime sepse ka pasur një kohë të gjatë që nuk kanë ndodhur. Kur përfshihen gazetarë sigurisht çështja është më e ndjeshme, sepse gazetari është më i ekspozuar se të tjerët në detyrë. Një vijë e hollë mund ta ndajë gazetarinë investigative nga pengimi i hetimit për një çështje, apo edhe ndikim i paligjshëm. Arrestimet lidhen me Sky, dhe më ngjarje që kanë ndodhur më parë, jo tani. Nuk janë vetëm këto dy urdhër-arreste, por ka edhe për disa ish-gjyqtarë, të cilët janë ekzekutuar ditën e sotme.”– tha ai.
Sipas informacioneve të raportuara, Hoxha është lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për Qynon është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur. Ndërkohë që pritet që SPAK të nxjerr së shpejti njoftimin zyrtar me akuzat që rëndojnë për Hoxhën dhe Qynon.
Gazetari Artan Hoxha është akuzuar si “anëtar i organizatës kriminale”, ndërkohë që për Elton Qynon rëndon akuza për korrupsion. Ky operacion i SPAK është drejtuar nga prokurori Vladimir Mara, i cili është përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen e kësaj çështjeje.