“Arti i luftës” është ekspozita me vizatime dhe fotografi të realizuara nga dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare.

Mbi 300 krijime pasqyrojnë qasjen ndaj një kulture evropiane të figurave qendrore të luftës për liri, vijnë nën kujdesin e Mehmet Gëzhillit, sipas të cilit këto personazhe përveçse idealistë, janë edhe artistë.

“Si mbesë e një partizani, i cili ka qenë i plagosur gjatë luftës e që jam rritur me kujtimet nga lufta, më vjen mirë që Mehmet Gëzhilli zgjodhi hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të shpalosur këtë ekspozitë të bukur“, u shpreh botuesja Alda Bardhyli.

“Bëra një detyrë në radhë të parë ndaj nënave të dëshmorëve, ndaj grave të tyre, fëmijëve. Pas këtyre kujtimeve është një grua apo një nënë që i ka ruajtur“, tha botuesi Mehmet Gëzhilli.

Ata që kanë përjetuar luftën e përgjakshme në mbrojtje të atdheut, përcjellin mesazhe për brezat e rinj

“Ne që kemi jetuar atë kohë adoleshencën, nuk kemi jetuar adoleshencë si brezat e tjerë pasi na përfshiu lufta. Për veten tonë tre herë kemi luftuar, në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare dhe UÇK në Kosovë“, tha ish-presidenti Alfred Moisiu, i pranishëm në ekspozitë.

Ndërsa mbesa e Qemal Stafës rrëfen mes emocionesh…

“Është hera e parë që shoh këto vizatime që janë ruajtur me kujdes nga Muzeu Kombëtar, ndoshta im atë i ka dërguar ato vite, duke sjellë kujtime të vyera dhe duke na sjellë Qemalin mes nesh me këto dokumente historike. Këto vite tranzicioni s’ka qenë e lehtë për familjen time me baltosjen e figurës së xhaxhit tonë por dhe figura të tjera, që në moshën më të mirë i vunë shpatullën luftës, duke mos kursyer as jetën”.

Ekspozita që synon të nxjerrë në dritë sakrificën e dëshmorëve të rënë për lirinë do të qëndrojë e hapur përgjatë nëntorit kuqezi./TOP CHANNEL