Biznesmeni Eduart Reçi u vra në një atentat misterioz dy net më parë në Rrugën e Elbasanit në Tiranë.
52-vjeçari u qëllua me një plumb në kokë afër “Rrugës së Elbasanit” në Tiranë. Ai u dërgua në spitalin e Traumës pasi u plagos, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.
Rrethanat e ngjarjes nuk dihen ende, ndërsa nuk ka asnjë gjumë nga autori.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, viktima ishte duke folur në telefon në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Një kamera sigurie e tregon atë teksa rrëzohet.
Sipas informacioneve, në momentin që ndodhi atentati janë dëgjuar shpërthime fishekzjarresh në distancë të afërt, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për të kamufluar të shtënat e armës.
52-vjeçari ka qenë në sheshin e pallatit me bashkëshorten duke pastruar ambientin poshtë, ku ka hyrë dhe dalë disa herë në pallat.
Në një moment që ka dalë jashtë dhe kur zhurma e fishekzjarreve kishte nisur, Eduart Reçi është rrëzuar dhe ka rënë në tokë.
Bashkëshortja fillimisht ka menduar se ndonjë cifël e fishekzjarreve i ka rënë në kokë, duke mos kuptuar se ishte plumb.
Mësohet se 52-vjeçari ka qenë ndërtues pallati dhe nuk është i skeduar për policinë.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se dikur Eduart Reci ka qenë drejtor në SHISH.
Para ca kohëve sipas burimeve, viktima kishte bërë kallëzim për shkak të një konflikti pronësie në zonë për vetëgjyqësi. Çështja nuk ishte filluar për mungesë elementësh.
Policia ende nuk e ka të qartë se si është qëlluar Reçi, me çfarë arme apo distanca nga ku kanë vepruar autorët apo autori.