Babai i Luisit, djalit të plagosur pas sherrit te shkolla “Fan Noli”, Fiqiri Meçe ka bërë një ankesë publike lidhur me mënyrën sesi po trajtohet i biri në spitalin e Traumës në Tiranë. Në një intervistë që ka dhënë dje për emisionin ‘Review’, Meçe pretendon se i biri është thuajse i paralizuar në krahun e majtë, por spitali nuk i ofron fizioterapi. Në këto kushte janë detyruar që në mënyrë private t’i sigurojnë shërbimet mjekësore për të birin. Po ashtu, përveç fizioterapistit, pranë të miturit që u përball me vdekjen, nuk ka shkuar asnjë psikolog.

Në këto kushte, i ati tregon se po mendon që të birin ta transferojnë në një spital jashtë vendit.

“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as piskolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjëndjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmisohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë,”- tha babai i Luisit.

Të hënën, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një “pse më shikon?”, por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë.