Nga Jakin Marena
Në seancën parlamenare ku po diskutohej buxheti i shtetit për vitin 2025 debatet mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës morën një drejtim të papritur. Tepër të papritur.
Hyrja në këtë ‘shteg’ të ri e debatit parlamentar ndodhi për shkak të ligjvënësve të PD, të cilët kishin vendosur më në fund të dalin në ‘habitatin’ e vet, më saktë të kreut të tyre Sali Berisha, ku të gjitha krahasimet për pensionet, pagat dhe zhvillimin ekonomik t’i lidhnin me Serbinë.
Diskutohej për pensionin minimal, atë mesatar e maksimal, e si ‘etalon’ merrej e merrej Serbia, përmes shifrave të evidentuara nga të gjithë diskutantët e PD, duke vlerësuar fort dhe lart punën e qeverisë serbe tërë këto vite. Anipse në krye të shtetit serb, qeveris pikërisht ai që quhet nga opozita në Shqipëri dhe qeverisja në Kosovë, Aleksandër Vuçiç ‘vëllau i Edi Ramës”.
Por nuk pyesin demokratët shqiptarë të udhëhequr nga Berisha kur vjen puna te ‘thirrja e gjakut’ nga Serbia. Këtë ‘thirrjen e gjakut’ nuk e themi për shkak të faktit se Berisha e ka gruan serbe, dhe as duke marrë si referencë akuzat e ish truprojes së tij Izet Haxhia për strehimin e partizanit serb në Vuçidol. Nuk na shkon në mendje një gjë e tillë, pavarësiusht kush e mendon.
Për hir të së vërtetës e themi sepse në këto 34 vite, duke filluar që me 2 prillin e vitit 1991 ku në krijimin e trazirave që sollën vrasjen e 4 dëshmorëve ‘pishtarë të demokracisë’ në Shkodër, kishte ‘dorë’ dhe shërbimi sekret serb, e deri te thyrja e embargos së OKB nga Shqipëria në vitet 1993-1996 përmes furnizimit me firmën e PD “Shqiponja” me naftë, armë dhe pajisje të tjera të makinerisë së luftës së Milosheviçit, e cila u përdor kundër popujve joserbë të ish Jugosllavisë, përfshirë dhe Kosovën, shkatërrimi i shtetit nga themelet në kulmin e genocidit serb në Kosovë, refuzimi i Rambujesë dhe elementë të tjerë tregojnë se strategjia e Berishës ka qënë thjeshtë dhe vetëm pro Beogradit.
E treguar me vepra kjo, që sa herë i është dashur politikës serbe ndonjë ‘dorë’ ndihme nga Shqipëria, Berisha ka qënë gjithnjë gati për të tentuar destabiltet në Shqipëri dhe në rajonin ku ka shqiptarë. E ka ‘ves’ këtë. Dhe ëhstë përpjekur fort për ta realizuar. Nuk deklaronte kot Milosheviçi në Parlamentin serb rreth kërkesës së opozitës serbe se ku kanë shkuar miliona dollarë të fondit serb, teksa raportonte nën thirrjen ‘shihni Shqipërinë se si është katandisur dhe bëjeni llogarinë vetë”. Bëhet fjalë për një interpelancë të tij nga fundi i vitit 1998.
Dhe mbi të gjitha Berisha është tepër i ‘fiksuar’, për të mos thënë i dashuruar me simbolet serbe, mbi të gjitha flamurin serb. Të cilin nuk ngurroi që përmes deputetëve të tij ta ‘ngrinte’ mu në mes të sallës së parlamentit të Shqipërisë, në seancën e ditës së hënë. Një rast i paprecedent ky i ndodhur në Shqipëri, kur përfaqësuesit e një partie politike opozitare që aspiron të vijë në pushtet, madje dhe përmes retorikës së ashpër nacionaliste kundër Serbisë, të ‘shpalosë’ në mes të Kuvendit, me krenari të dukshme flamurin e Serbisë. Deri këtu s’ka arritur askush.
Hajde e merre vesh Berishën dhe PD, pasi ka bërë një jetë të tërë nacionalistin e ashpër dhe të tërbuar kundër Greqisë, shkon e kandidon në bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar pikërisht përfaqësuesin e Agimit të Artë të dalë jashtë ligjit dhe në Greqi dhe përfaqësuesin e të ashtuquajturit ‘Vorio Epir’, Fredi Belerin. Pra, të dënuarin për dhunimin e simboleve kombëtare shqiptare, të akuzuarin dhe nga organet ligjzbatuese greke për masakrën e Pëshkëpisë në kufirin shqiptar, ku mbetën të vrarë disa ushtarakë shqiptarë. Berisha kishte ortak dhe Metën në këtë kandidim si koalicion të Belerit në Himarë, por Metës nuk i ‘quhet’ sepse ai është zyrtarisht pro-grek, si i dekoruar me “Kryqin e Artë Grek” me motivacion “Kontribues për mbrojtjen dhe përhapjen e helenizmit kudo në botë”. Dhe Meta deri në Shqipëri e kishte hapin.
Por historia e ‘dashurisë’ së Berishës me flamurin dhe simbolet serbe e pati shfaqjen e parë publike që me ardhjen për herë të dytë në pushtet më 2005, si kryeministër i vendit. Besoj ata që kanë përcjellë politikën në atë kohë e mbajnë mend debatin që shpërtheu në lidhje me ndryshimin e simbolit të flamurit shqiptar në kryeministri, shqiponjës dykrenare, e cila u bë ngjashëm me shqiponjën e flamurit serb. Pati debate të forta atëherë dhe specialistët dolën në përfundimin se “Shqiponja” e Berishës në kryeministri është “shqiponjë” serbe. Disa ia vunë fajin mikut të tij serbo-boshnjak Damir Fazlliç dhe miqësisë me fëmijët e Berishës, i cili mori prona pa fund, tendera duke arritur deri me prezencën e tij në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Por ama deri aty ku u arrit këtë të hënë teksa deputetët e PD ngritën në Parlament flamurin serb, nuk ishte arritur deri në këtë kohë. Nuk e dimë të saktë, ndaj kujt po shpallej ‘pavarësimi’ nga ana e ligjvënësve të Berishës, teksa kanë ngritur flamurin serb për të ‘rezonuar’ atë shqiptar në ballë të sallës së seancave parlamentare. Pikërisht në ditën kur presidenti serb Vuçiç kishte dhënë konfermën e tij dhe i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Putin për të qënë në Moskë. Rastësi?
Dhe rastësitë nuk ndalen këtu, me të përbashkëtën e vet, kundër shqiptarëve e shqiptarisë. Në të njejtën ditë, nuk mund të garantojmë nëse ka qënë në të njejtën orë, me ‘ngritjen’ e flamurit serb nga deputetët e Berishës në mes të sallës së parlamentit shqiptar, një tjetër ‘flamur’ të madh antishqiptarie, ka ngritur vetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mes të Prishtinës.
Me sa duket i ‘menaxhuar’ me kujdes nga ‘kujdestarët’ e tij që në kohën e burgut të parë në Serbi, si detyrim ndoshta për të goditur faktorin shqiptar, Albini ka vijuar më tej shkatërrimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pas ‘dorës’ që i dha Mickoskit për të ardhur në pushtet, me votat e disa shqiptarëve të “VLEN” që për hir të së vërtetës nuk vlejnë asnjë lek, tashmë përmes goditjes me themel të shqiptarëve atje, në bashkimin e forcave me kryeministrin nacionalist të Maqedonisë së Veriut për zhbërjen e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në këtë vend.
Gjyka shqipe zyrtare më RMV ishte një arritje e madhe e marrëveshjes së Ohrit, me përpjekjen e madhe deri me armë të shqiptarëve të udhëhequr nga Ali Ahmeti, ndërkohë që Albini për nevoja të vobekta politike apo si detyrim ndaj atyre që e mbajtën gjallë në burg, madje dhe duke e furnizuar me libra në burgjet serbe gjatë kohës së luftës, më një deklaratë publike krah kryeministrit nacionalist të Shkupit deklaron se s’ka qënë kurrë në rang marrëveshjeje të Ohrit përdorimi si gjuhë zyrtare i shqipes. Një goditje ‘poshtë brezit’ ndaj shqiptarëve jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por kudo që ndodhen në hapësirën mbarëshqiptare në rajonin e trazuar të Ballkanit.
Më konkretisht, i pyetur nga gazetarët, nëse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është në rrezik, Albin Kurti, patrioti në tentativë për të qënë lideri i gjithë shqiptarëve, e ka mohuar një gjë të tillë. “Së pari, kjo është një çështje për Gjykatën Kushtetuese të MV, pasi tre dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë dërguar në KV, dhe këto tri dispozita, paradoksalisht, nuk janë vërë në jetë, nuk janë zbatuar në të kaluarën. Dhe tash, i përket Gjykatës Kushteutese në MV që ta vlerësojë. Por, duhet ta sqarojmë një gjë. Nuk ka në MV ligj për gjuhën shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, tha Kurti i sigurtë, duke e bërë me ‘fletë’ Mickoskin.
Madje Kurti dha leximin e vet kushtetues për Maqedoninë e Veriut, se “nuk ka ligj për shqipen, dhe s’ka pasur në të kaluarën” por shtoi se “aty ka ligj që përmend shifrën 20%, por jo ligj për përdorimin e shqipes, por gjuhëve. Ekziston ligji që përmend shifërn 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të GJK atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”.
Reagimet në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë por dhe në Shqipëri kanë qënë më se të forta ndaj deklaratave të papërgjegjshme të Albin Kurtit. Për ish-kryediplomatin shqiptar në Maqedoni të Veriut, ajo çfarë ka bërë Kurti në këto deklarime është inkuraium i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar nene të Ligjit mbi Përdorim e Gjuhëve.E kjo, sipas Osmanit, është e pafalshme.
“Vlerësimi ishte skandaloz, i dëmshëm dhe i pabazuar në fakte. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky ligj u miratua 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, pasi ishte një nga pikat më të kontestuara dhe të vështira të marrëveshjes. Pala maqedonase kishte vlerësuar se gjuha shqipe duhej të ishte zyrtare vetëm në komuna, ndërsa pala shqiptare kishte këmbëngulur që gjuha shqipe të ishte zyrtare në nivel shtetëror. Sot, me miratimin e ligjit, është e qartë se ky është ligji që përcakton përdorimin e gjuhës shqipe (…) (…) nga vula e Presidentit të shtetit deri te çdo dokument shtetëror dhe publik, të cilat janë në dy gjuhë. Anulimi, madje edhe i një presjeje të këtij ligji, do ta bënte atë të pavlefshëm”, citon Osmani marrëveshjen.
Teksa ka ‘siluruar’ Kurtin që deklaroi se nuk ka ligj të gjuhës shqipe dhe s’ka gjuhë zyrtare shqipe në rend të parë, Osmani na referon në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve ku tekstualisht shkruhet e kundërta. “Gjuhë tjetër që flasin së paku 20 e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj”, thuhet në Nenin 1, pika 2,” përmend Osmani. Gjë që shihet dhe në vetë ligjin kjo që thotë ai, por që Kurti me dëshirë nuk e ‘paska parë të shkruar’, teksa deklaron me zë dhe figurë se nuk ka pasur gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoninë e Veriut. Një krim me të vërtetë monstruoz ndaj popullatës shqiptare atje, zhbën gjuhën, e kur mbështetet kjo dhe nga një udhëheqës shqiptar, imagjinoni çfarë do bëjë Mickoski.
Pra ‘ngritja’ e flamurit serb nga Berisha përmes deputetëve të tij në mes të parlamentit shqiptar dhe ‘zhbërja’ e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut nga ana e Albin Kurtit, është bërë në të njejtën ditë. Rastësi e koncidencë e çuditshme në fakt, në këtë situatë të trazuar në rajon dhe më gjërë, dhe ku interesat ruse përmes aleatëve të tyre serbë në Ballkan janë më të shtuara se kurrë. Aq më tepër që kërkon mundësi për të shmangur vëmendjen nga Ukraina.
Dhe kjo strategji antikombëtare dhe pro nacionalizmit serb e sllav në Ballkan e bërë nga një ish kryeministër ‘non grata’ në SHBA e Britani si Berisha që ka izoluar për fat vetëm PD-në që udhëheq në Shqipëri, dhe një kryeministër që trajtohet si ‘non grata’ nga SHBA, BE e Britania teksa ka dërguar Kosovën në izolim dhe sanksionim nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Albin Kurti, nuk është thjeshtë një koncidencë e rastit. Të paktën kështu themi se mendojnë shumica e shqiptarëve që kanë reaguar fort si për ngritjen e flamurit serb në mes të sallës së Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët e Berishës ashtu dhe për deklaratat antikombëtare të Albin Kurtit kundër gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë ‘arsenal’ anti-shqiptar, Albin Kurti hyn në zgjedhje në shkurt të vitit të ardhshëm për të kërkuar votën e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilin e ka dërguar në zgrip me strategjinë e tij të përplasjes me aleatët tanë të mëdhenj SHBA e BE, me sanksionet që janë vënë dhe me korrupsionin galopant e të hapur që po zbardhet dita ditës në media. Duke ngjallur shpresën në Kosovë, se do të dalë parti e katërt politike, sikurse doli në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor. Shpresojmë që Zoti, miqtë dhe shqiptarët të jenë në anën e Kosovës më shkurt 2025.
Ndërkohë që në Shqipëri PD dhe Berisha, e kanë të garantuar humbjen në zgjedhjet e pranverës së vitit të ardhshëm. E thonë të gjitha sondazhet, madje e pranon dhe vetë Berisha, pavarësisht alibive që ka nisur të përmendë që tani për të justifikuar këtë humbje. Do të humbë sepse opozita është copë copë, sa herë i është dhënë mundësia ka treguar ‘genin’ e vet anti-kombëtar, me drejtues në burg e arrest shtëpiak për korrupsion madhor, fshehje pasurie, pastrim parash e korrupsion pasiv, ndërsa nuk ka një alternativë të hajrit për të ofruar për shqiptarët. “Ngritja’ e flamurit serb nga deputetët e Berishës në mes të Parlamentit vetëm sa e thellon këtë humbje.