Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim nga shtëpia me drejtuesit e partisë në qarqe nga të cilët kërkoi një mobilizim të jashtëzakonshëm për protestën e radhës që do të mbahet më 26 nëntor.

Sipas Berishës, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi nga java në javë.

“Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 nëntor, ora 5.

Koha në të cilën thirret jo protesta, por mosbindja civile, është e shkurtër.

Por, revolta, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi progresive nga java në javë.

Zemërimi ndaj saj është i pandalshëm.

Në këtë kuadër mund të themi se protesta e datës 26 nëntor është një hap i vonuar.

Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë.

Asgjë nuk ka më të pamëshirë se kohën dhe këtë duhet ta kemi të qartë secili nga ne.

Kjo narkoqeveri nuk meriton asnjë minutë kohë të vetme. Sulmi dhe vetëm sulmi duhet të jenë qëndrimet tona”, tha Berisha.