Aleksandar Vucic njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, telefonatë kjo të cilën kreu i shtetit serb u kujdes që ta përshkruante si “të shkëlqyer”.
“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte do të thosha shumë e përzemërt”, u shpreh Vuçic në Instagram.
“Përcolla shpresën time që ai të vizitojë Serbinë, pasi Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Europën”, tha Vucic, qe pretendon më tej se Trump nga ana e tij e ka falënderuar për “mbështetjen e madhe” që ka marrë nga “qytetarët e Serbisë, nga populli serb, dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të flasim për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, në të gjitha fushat”.
“Jam i sigurt që, me mbështetjen e miqve tanë – dhe me miq nënkuptoj të gjithë rrethin e presidentit Trump, të cilët ishin gjithashtu me të gjatë bisedës sonte – do të kemi mundësi të bëjmë, ai Amerikën të madhe, dhe ne Serbinë një vend të denjë, që mund të bashkëpunojë shumë mirë me Shtetet e Bashkuara”, tha Vuçic.
Në Prishtinë sakaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti u shpreh se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e kanë përshëndetur fitoren e Donald Trump si president i 47 i SHBA-ve dhe presin me padurim bashkëpunimin me të.
Kjo deklaratë pasoi reagimet e njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët vlerësuan se deklarata e bëra në vitin 2021 kundër administratës Trump mund të sjellin pasoja për vendin.
“Në Gjermani Grenelli ka qenë një ambassador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë. Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtur të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet m ë të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika.
“As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjë herë për Kosovën, ata interesohen vetëm per veten e tyre. Për fat të mirë, Grenelli mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë“, qe shprehur Gërvalla.