Nga Lorenc Vangjeli/
…regjimi i krimit, i drogës, trafikantëve, kriminelëve dhe vrasësve. Tentakula.., organizatë kriminale…, ora e diktaturës,. …mjeranë, … mercenarë…, o horr, o llum! …monstra të krimit, …ti faqezi, …o i pa be dhe i pamoral…
Burg, burg, burg!!!
…ti B e Vogël e prehërit të B-së Madhe, …shpifës i neveritshëm. …gënjeshtar, skuth, …bisht i spërdredhur. …gjysmë burrë e gjysmë derrkuc…, Noc Rroku…, …ushtar i pacipë… Mbret i Shpifarakëve…, …llumi i gojës…,jashtënxjerrje goje…
Burg, burg, burg!!!
…o palaço, o dumduman, …injorant, o torollak. Do t’ju shkrij…, do t’ju grij…, celulë terroriste. O lepurush! Të thyej në mes! I bie më të fortit. Raketa, gropa, mali me Gropa.
Burg, burg, burg!!!
Edhe po të debatohet për seksin e ëngjëjve diku, njëra palë do t’i dorëzohej yshtjes së djajve për t’u sulur me yrysh ndaj palës tjetër. Djegim, presim, rrjepim, pjekim, çmontojmë, mallkojmë, dërmojmë… Marshi politik në marshim. Përpara, o trim! Karrige në zjarr. Mosbindje civile. Do t’ju kërrejmë të gjithëve. Zgërdhiheni, por do t’ju zgërdhejmë! Ah, mami parfumi, …dhejmë…, …ejmë!
Parlament? Ose pavion të çmendurish. Ose bota e komenteve anonime në rrjetet e pafundme sociale ku guri e huri, plumbi e balta, kazma dhe dalta janë zemër fjalori. Nuk ka diferencë mes pavionit dhe parlamentit. Ata që i tregonte dikur me gisht si idiotë lagjeje Umberto Eco, sot kërkojnë ditën e diellit. Injoranca sublime, mendjemadhësia e firaunit, dallkaukllëku e duhma e drunjtë e shpirtit apo dhe frustrimet e të gjitha llojeve, vishen me Prada, pinë puro e verë Masseto. Dhe i tregojnë me gisht nga vetja si bizhu krenarie në sy të mexhlisit, ky bash i këtij mexhlisi. Kurse Shqipëria e vizatuar prej tyre është një shtëpi e madhe funerale, ku nga njëra anë, njëra gjysmë i shet drogë tjetrës, kurse nga ana tjetër Shqipëria është kopësht Edeni.
Burg, burg, burg!!!
Tik-tok! Tak–tak!
Trump. Trump. Trumpi inshallah! M’tha njoni që e kishte nigju nga tjetri që i kishte çu një sms një dashnores së vet që e ka fiksim. I ka thon’ që me dekretin e parë do t’i morrë çdo dollar Sorosit, kurse me dekretin e dytë do ta bojë Shqipërinë të madhe përsëri! Trumpi e ka fiksim Shqipërinë, mo vlla! Hajër inshallah e hajër mos bofshin tradhëtarët, bijtë e etërve dhe të shiturit tek serbi!
Nën hijen e kryeministrit hijerëndë ministrat e tij heshtin sido që të jetë humori i kryeministrit, me ledhatime apo me shpërthime. Por kur kthehen në ministri, në shumicë, si rregull dhe jo si përjashtim, pa përjashtim, gra e burra, ministra e ministre vikasin me gishta në vesh mbi sytë e trembur të drejtorëve të përgjithshëm. Ata heshtin, por mjerë shefi i sektorit që ju del përpara, i cili vërtet hesht, por e shndërron në kopsë të thyer e ujë të valuar vartësin e tij që hera ja sjell përpara syve. E pastaj të gjithë bashkë, shkojnë në kopshte e shkolla për të marrë fëmijët. “Prapë u dhj..ve more pis? Sa të ndërrova, mor horr i vogël! Rri në m..tin tënd tani!”, i ulërin edukatorja e prishur mendsh nga lodhja foshnjes së ngratë.
Trafiku, polici, parkingu i munguar. Nafta në qiell. Ai tjetri bleu vilën e tretë, ka edhe skaf, ti ende me kredi. Fëmijët që dalin poshtë pallatit të luajnë e dinë mirë rregullin që nuk ndryshon: Më i forti do ta rrahë më të dobtit! Më i dobti do të hajë dru edhe në shtëpi pse nuk është i zoti të rrahë shokët jashtë. Më i miri në mësime është “Nerd”, ai që pi cigare është garip. Bëhet edhe deputet se e duan të giithë naçut e lagjes. O robt’ ku t’i ketë ai doktori që më shpëtoi babën nga Covidi dhe nënën nga zemra! Më la dhjetë minuta pas dere duke prit si shk…rdhatë, pisi! Ai është me thinja, por prostata ime verbale nuk do të thinjet kurrë!
Pastaj vijon parada e mbrëmjes në ekrane, në facebook, në instagram. Njëlloj si ajo e Dullës vaktit me kallashë krahut, por kjo e sotmja është moderne me kravatë Evrope. Impotentë që shohin Channel X dhe mendojnë se janë dashnorët perfektë, njerëz që nuk kanë vënë kurrë dy tulla bashkë, pretendojnë se janë arkitektë, ata që i lenë gjunjët deri në shkallët e katit të dytë, ekzekutojnë kombëtaren e futbollit, maskarenj me vulë e pa din e imam, shiten si shenjtorë në tregun ku të gjithë shesin dhe blejnë. P…rdhë shet njëri, po me p…rdhë e këmben dhe tjetri! Burg, të thashë! Jezit! Analfabetë që nuk dinë shkrim e këndim, i lenë kallam kusurin akademikëve, njerëz pa të shkuar, pa të sotme, e të ardhme, nuk përtojnë të kritikojnë e të rishkruajnë historinë. Hosana me mbarësi, jarebi! Greku more na i ka fajin. Ah, nanën shkjaut se na shpërvoli krejt! Greku, serbi dhe ai osmani lafshëprerë me jatagan që na dogji edhe barin ku shkeli, këta na kanë lënë kështu.
E kapi ajo Dubain! Lene atë me lale, ai osht me timon n’krah të djathtë, ene ka nji dhom’ me lek gjer në tavon. Ça thu më? Doli si bos nga burgu.
Burg, burg, burg!!!
Eshtë një shoqëri në krizë. Në krizë të thellë morale. Nuk vlen sa di. Pyetesh sa ke. I ndershmi është budalla. Budallain paraja e bën king! E bën edhe mbret! Ene meqë e dun shum’ çunat e lagjes, paratë e bojn’ edhe deputet.
Dy kile hekra n’ çont’ i kom…/ Dy metra dhe’ për ty kom lon! Hajde shqipe, hajde luj qyqek!
Tradhëtar!
I shitur!
Faqezi!
Horr!
Kriminel!
Në litar!
Në satër!
Mora armët të luftoja për liri e për atdhe/ Ku ta dija unë i mjeri që armiku ish’ me ne!
Ti mbyllim tak-fak, tik-tok, chat, snapchat, ecrochat. Uuuu, encrochat, more!
Eshtë kaq zi Shqipëria? Jo!!! Me siguri jo! Shqiptari i ndershëm, ai që ngrihet që pa gdhirë për të ngritur skelën e ndërtimit, për të hedhur farën në tokë, për të ndezur ekspresin e kafesë është absolutisht shumicë dërmuese. Por është shumica e heshtur. Shumica që flet me zë të ulet dhe nuk bërtet. Që nuk çirret. Nuk mallkon. Që lufton për mbijetesë. Që psherëtin kur i bëjnë padrejtësi, që jep lekë borxh për ilaçe dhe pastaj i fal, që ble librat e shkollës për fëmijët dhe lutet që fëmija të kthehet shëndetshëm nga shkolla. Që pret Perëndinë ta bëjë më mirë. Që meriton për shumë më mirë! Që numëron lekët e fundit të muajit dhe që nuk do të pranojë se të gjitha tunelet të çojnë në Dhërmi.
Dhe pastaj shfaqet një thikë e përgjakur nën brinjë ëngjëlli. Dhe pastaj të gjithë bëjnë sikur duan të lajnë duart nga gjaku si Makbethë hipokritë. Lotojnë. Mallkojnë. Urojnë. Udhëheqin. Mohojnë. Dhembin. Dhe thonë shyqyr që nuk isha unë. Por të gjithë, të gjithë, janë bashkëpronarë të thikës. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kanë shtrënguar dorezën e asaj thike. Me marrëzinë e të marrit. Pa kuptuar se janë edhe vetë viktima të tehut të saj! Xhamadani vija-vija.
Hajdut! Vrasës! Ju thyej në mes! F, e madhe, f, e vogël! Ai ka mçef vilën në Lalëz dhe është shok i trafikantëve. Ai dhe ajo duan të vrasin njëri-tjetrin. Jo, nuk thashë ashtu. Ashtu ishte një muhabet partie. E kam shok, por shoku edhe ta fut para se të të bëjë shok!
Burg!
“Të isha mbret vetëm për 24 orë, pa i vija të gjithë, me kuç e me maç, bashkë me macen e shtëpisë, përpara togës së pushkatimit!”. Nuk ka shqiptar që në hare e mëri, në dashuri apo urrejtje, të mos e ketë pretenduar këtë kurrorë. Gjithë kjo egërsi, gjithë kjo ndjenjë e frikshme hakmarrjeje, revanshi e zotash të përmbysur e të këmbyer lirë e me qejf me kryezonjën valutë. Sepse të gjitha rrugët të çojnë tek paraja! Paraja është pushtet. Pushteti është para. Tik-tok e fap-fap, spanchat e encrochat!
Burg! Qyqek, pra, luj qyqek, tunde aty atë senin!
Këtë e gjë e di çdo idiot lagjeje. E dinë edhe ata që kanë qeverisur këtë vend si komunistët feudalë edhe dekada mbasi feudalët e kuq komunistë u përmbysën! Vetëm përkohësisht, ama!
P. S. E ka paguar Rama. Nuk i ndahet shpirti nga Berisha. I ka dhënë prona Meta. Mëshirë për budallenjtë! Injoranca nuk është sëmundje. Eshtë status. Eshtë momenti kur mendon se i di të gjitha dhe mund të gjykosh mbi të gjithë. Eshtë siguria komode e të qenit anonim me atë problemin ngjethës të prostatës, herë në pozicionin klasik të saj dhe herë diku gjetkë, në një vend më të dukshëm.