Një nuse dhe qindra të ftuarit që kanë shkuar pasditen e së shtunës në një kishë në Kretë kanë pritur më kot, pasi ceremonia është anuluar për shkak të arrestimit të dhëndrit 36-vjeçar për posedim lënde narkotike.

Qindra të ftuar që sipas mediave lokale thonë se ishin mbi 900 vetë kanë shkuar normalisht në kishë për të marrë pjesë në ceremoninë fetare dhe pagëzimin e fëmijës së tyre. Vetëm kumbarët ishin 14. Ndërsa lokali ku do të zhvillohej dasma ishte rezervuar për 2000 dasmorë.

Por dhëndri nuk arriti kurrë në kishë pasi u arrestua gjatë një operacioni të forcave policore të rajonit të Irakleios, të cilit, duke përdorur informacionin përkatës, gjetën dhëndrin e ardhshëm në posedim të 170 gram kokainë, 132 fishekëve të kalibrave të ndryshëm, 2 peshoreve precize, shumës monetare prej (3.550) euro. Gjithashtu, gjatë hetimeve u gjet një statujë e vogël e cila bie ndesh me ligjin për vjedhjen e antikave.

36-vjeçari është dërguar tek prokurori i Irakleios bashkë me nënën e tij, e cila u arrestua edhe ajo teksa mësohet se tentoi të zhdukte taperin me 170 gramë kokainë për të mbrojtur djalin e saj dhe për të shpëtuar martesën, siç raportojnë mediat vendase.

Në deklaratat e tij, avokati mbrojtës i 36-vjeçarit theksoi se klienti i tij “është i shkatërruar psikologjikisht nga gjithçka ka ndodhur”.

Ai ka pohuar se është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe psikologjike pasi për shkak të një çështje të vogël, gëzimin më të madh të tij dhe të familjes e ka kthyer në trishtim dhe zhgënjim.

“Çdokush mund ta kuptojë se si mund të ndihet ky njeri. Ajo që ndodhi është për të dënimi më i madh, por, për fat të keq, të dashurit e tij e ‘paguan’ dhe ai nuk ia fal dot vetes. Ai me përulësi u kërkon falje të gjithëve dhe qindra njerëzve që kishin ardhur në ceremoninë e dasmës së tij”, tha avokati.

Ai po ashtu ka pohuar se sasia e kokainës ka qenë ekskluzivisht për përdorim personal.