Ishte një kohë kur pseudonimi ‘Perandori’ përmblidhte atë që Adriano jepte në futboll.

“I armatosur” me një këmbë të majtë të fuqishme, të kombinuar me fuqi fizike të pakrahasueshme, ai konsiderohej një nga sulmuesit brazilianë më të mirë në botë dhe që do të ishte i tillë për shumë vite.

Megjithatë, ky nuk ishte rasti. Disa dëmtime, së bashku me disa vese aspak të këshillueshme për lojtarët e futbollit, ndikuan në të tatëpjetën e karrierës së sulmuesit, i cili në një prononcim për “The Players Tribune”, ka trajtuar vështirësitë që ka hasur dhe vazhdon të përballë:

“Unë pi çdo dy ditë… dhe ditët e tjera, gjithashtu. Si arrin një person si unë në pikën që të pijë pothuajse çdo ditë?

Nuk më pëlqen t’ua shpjegoj veten të tjerëve, por nuk është e lehtë të jesh një premtim i dështuar. Dhe në moshën time, është edhe më keq.

Vdekja e babait tim ndryshoi jetën time përgjithmonë. Deri më sot, është një problem që ende nuk kam arritur ta zgjidh. Të gjitha mësimet që mësova nga babai im ishin me gjeste. Nuk kemi pasur biseda të thella.

Integriteti i tij i përditshëm dhe respekti që të tjerët kishin për të ishte ajo që më bëri më shumë përshtypje”, tregon Adriano për të atin, që u vra në vitin 2004.

I rritur në Barra da Tijuca, një nga zonat më të rrezikshme në Brazil, ku thotë se “nëse do të ndaloja të numëroja të gjithë njerëzit që njoh e që vdiqën dhunshëm, do të ishim këtu duke folur për ditë të tëra”.

Karriera e Adrianos evoluoi shpejt dhe ai u transferua nga vendi i tij në Itali në moshën 19-vjeçare për të përfaqësuar Interin.

Gjatë Krishtlindjeve të para që kaloi vetëm në Milano, ish-lojtari, i stërvitur te Flamengo, u zemërua pasi foli me nënën e tij: “Isha i shkatërruar. Unë kisha një shishe vodka.

Nuk po e ekzagjeroj, e kam pirë i vetëm. Kam qarë gjithë natën. U shtriva në divan sepse piva shumë dhe qava. Çfarë mund të bëja?”

Ka luajtur për Romën në vitin 2011

“Kur ‘ika’ nga Interi dhe u largova nga Italia, erdha të fshihem këtu (Vila Cruzeiro, një vend ku ai shihte babanë e tij në çdo rrugicë). Askush nuk më gjeti. Nuk ishte e mundur.

Rregulli numër një i Favelas: mbajeni gojën mbyllur. A mendoni se dikush do të më raportonte? Këtu nuk ka hajdutë. Shtypi italian u çmend.

Madje policia e Rio de Zhaneiros kreu një operacion për të më ‘shpëtuar’. Ata thanë se më kishin rrëmbyer”, tha ai.

Massimo Moratti, president i Interit, dhe José Mourinho, i cili e stërviti atë në vitin 2009 u përpoqën ta kthente në formën e tij më të mirë, ishin të rëndësishëm në përpjekjen për të rifilluar karrierën e brazilianit… dhe jetën:

“Ata donin të më pranonin. Më thanë se duhet të kaloja kohë në një klinikë rehabilitimi në Zvicër. Isha në depresion dhe nuk kisha asnjë ide për gjërat. Nuk e kuptoja se çfarë po thoshin.

“Unë nuk jam i çmendur, President. Me gjithë respektin që kam. Pse duan të më dërgojnë në një azil të të çmendurve?” Ajo ide ishte absurde. Ku e kisha dëgjuar më parë? Një lojtar i pranuar në një klinikë rehabilitimi?!

Megjithatë, Adriano e gjeti veten të bllokuar në një spirale varësish që e bënë atë të shkatërrohej. Ai e përfundoi karrierën e tij në vitin 2016, pas një periudhe në Miami United.

“Dështimi më i madh në historinë e futbollit: unë. Më pëlqen kjo fjalë, humbje. Jo vetëm për shkak të mënyrës se si tingëllon, por sepse jam i fiksuar për të humbur jetën time.

Unë jam mirë kështu, në një humbje të furishme. Më pëlqen ky stigmatizim”, përfundoi braziliani.