Kreu i qeverisë, Edi Rama pasditen e sotme është takuar me pensionistët e Korçës, për të ndarë me ta pikëpamjet për skemën e re të pensioneve.

Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, drejtori i ISSH, Astrit Hado dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi.

Rama sqaroi se indeksimi i pensioneve me 4.1% nuk ka të bëjë me rritjen e pensioneve, por është indeksimi vjetor që mbështetet në ligj dhe që qeveria e zbaton çdo vit.

Rama gjithashtu u ndal edhe te rritja e bonusit për të moshuarit për festat e fundvitit, teksa bëri krahasimin edhe me qeverinë Berisha.

Rama: Ju kujtohet kur thoshte njëri “do t’ju japim një gjel”. Ne bëmë bonusin 50 euro për secilin pensionist. Po të mbledhim gjithë ato para që janë vënë nga buxheti i shtetit ekstra, vetëm nga bonuset janë 420 milionë euro. U bë indeksimi i pensioneve me 4.1% dhe ju u gjendët përballë një furie të madhe nëpër klubet e natës televizive “ja si u tall Edi Rama, ja si u tallën socialistët”. Ai 4.1% nuk ka të bëjë fare me diskutimin tonë për të rritur pensionet, është indeksimi vjetor i pensioneve që mbështetet në ligji që qeveria e zbaton çdo vit. Çdo vit ne e bëjmë indeksimin që krahas me rritjen e çmime që është normale sepse zhvillimi sjell rritje çmimesh…arsyeja pse çmimet rriten do të thotë që zhvillohet vendi. Bëhet ky indeksim sepse atyre nuk u rriten pensionet siç rriten pagat. Vetëm një gjë kemi bërë ne që e kemi bërë me vullnet.

Kur plasi lufta në Ukrainë, indeksuam dy herë pensionet. Totali i këtyre indeksimeve që ju duket si një gjë e vogël, ne kemi nxjerrë edhe 250 milionë euro të tjera në vite nga buxheti i shtetit. Siç e shikoni te pensionet nuk është si te pagat. Bëhet fjalë për një masë shumë të madhe në 2013 kishim 570 mijë pensionistë, sot kemi 705 mijë sepse është rritur dhe jetëgjatësia. Volumi i pensioneve në shifra rritet nga pikëpamja e parasë. Ju duhet të gëzoheni kur dëgjoni rritje pagash, sepse është rritje e fondit të pensionit. Nëse pagat nuk do të rriteshin problemi do të ishte shumë i madh me skemën e pensioneve.