Vrasja fatale e 14 vjeçarit Martin Cami në prag të shkollës 9 vjeçare Fan Noli ka zgjuar një ditë më pas komunitetin. Nxënës, prindër, mësues, kalimtarë me lule në duar e qirinj në homazh të tij.
“Shumë e rëndë, nuk më duket normale me thika. Zihu bëj ç’të duash por jo t’i marrësh jetën. Kalama i vetëm, se familja e vetë… më vjen shumë keq, një çun që kishte e çoi në shkollë ai… në momentet e fundit, ai o mam o mam!”, shprehet një nga shokët e shkollës së Martinit.
“Jam shumë i prekur. Thjesht di që s’duhet të ndodhte!”, shprehet një tjetër nxënës.
Ngjarja vijon të trondisë shoqërinë shqiptare, e po ngre pikëpyetje të mëdha për sigurinë e nxënësve brenda dhe jashtë shkollës.
“E pret nëna në shtëpi, e priste për drekë. Ku i vajti ai fëmijë? Ku i vajti? Ku është përgjegjësia e mësuesve, e rojeve te dera, e shokëve. Prindi duhet ta mësojë ta dojë shokun. Unë kam nipin ishte paralel, nuk kam guxim ta pyes. Nipi im që mbrëmë ka ngrirë nuk flet….”, shprehet gjyshja e shokut të Martinit. Konflikti mes bashkëmoshatarëve të Fan Nolit që dyshohet se ka nisur që të premten brenda shkollës ka ndezur revoltën e komunitetit për neglizhencën institucionale të treguar, teksa oficerja e sigurisë e shkollës për Top Channel mohon përgjegjësitë.
“Nuk ka ndodhur asnjë konflikt brenda shkollës, kaq dua të them!”, shprehet ajo.
“Unë nuk kam dijeni për oficer sigurie përveç portierit qe hap derën, se po të ishte do ishin zbuluar grupet që grinden me njëri tjetrin e do ishte parandaluar”, shprehet një prej prindërve.