“Nuk dua përshkallëzim të luftës në Ukrainë”. Ka qenë kjo porosia e presidentit të zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, për liderin e Rusisë, Vladimir Putin.

Kështu shkruan “Uashington Post”, duke raportuar bisedën e zhvilluar mes të dyve në telefonatën e urimit nga Kremlini për fitoren në zgjedhje të republikanit.

Ai i ka rikujtuar Putinit që të bëjë kujdes, pasi ushtria e SHBA-së është në Europë dhe Rusia nuk duhet ta sfidojë atë.

Ukraina konfirmon se nuk është informuar përpara se telefonata Trump-Putin të ndodhte. E ndërsa premtimi për ta ndalur luftën me një bisedë telefonike nuk është përmbushur, presidenti i zgjedhur po vijon punën për formimin e kabinetit qeverisës.

Donald Trump hyn në betejën për lidershipin në Senat, të sapofituar nga Republikanët, dhe kërkon rrugën e shkurtër në demokracinë amerikane. Ai kërkon që t’i aprovojë nominimet për administratën dhe gjyqësorin duke anashkaluar miratimin në Kongres, ku edhe opozita thotë qëndrimin e saj. Trump njoftoi kthimin e Tom Homan në drejtim të agjencisë përgjegjëse për kontrollimin e kufirit dhe të emigracionit.

“Njoftoj me kënaqësi se ish-drejtori i Agjencisë për Kufirin dhe Emigracionin, Tom Homan, do t’i bashkohet administratës Trump, në ngarkimi të Kufijve të Kombit tonë si “Cari i Kufirit”, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, Kufirin Jugor, Kufirin Verior, të gjithë Sigurinë Detare dhe të Aviacionit”, lexohet në njoftimin e presidentit të zgjedhur.

Trump shton se Homan do të jetë në ngarkim edhe të fushatës së premtuar të dëbimeve të emigrantëve të paligjshëm nga Amerika. Deri më tani ka nominuar dhe kongresmenen e Nju Jorkut, Elise Stefanik, për ambasadore në OKB. Gjithashtu ka përjashtuar Nikki Haley dhe Mike Pompeo nga ndonjë post i mundshëm në administratën e tij të re.