Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, pritet ta emërojë senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit, kanë bërë të ditur burimet për “New York Times”. Sipas njerëzve të afërt me ngjarjen, Trump mund ta ndryshojë mendimin në moment të fundit, por tani për tani senatori i Floridas konsiderohet nga republikani dhe ekipi i tij si personi i duhur për këtë post.

Në listë për sekretar ishte përmendur edhe Richard Grenell, ish-emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Rubio ishte zgjedhur në Senat më 2010 dhe njihet për zë të ashpër ndaj Kinës, Iranit, Venezuelës dhe Kubës. Fillimisht hasi në përplasje me republikanët që janë më skeptikë për ndërhyrjet jashtë vendit, por Rubio i ka bërë jehonë thirrjes së Trump se luftës së Rusisë në Ukrainë “duhet t’i jepet fund”.

Siç shkruan NYT, edhe pse dikur e ka kritikuar Rusinë ashpër në të kaluarën, Rubio ka mundësi të pajtohet me planet e Trump që t’i bëhet presion Ukrainës për një zgjidhje me Rusinë dhe të ngelet jashtë NATO-s.

Rubio ka qenë një nga senatorët më të zëshëm në thirrjet që SHBA-ja duhet të jetë më e ashpër ndaj Kinës. Ai pati ndihmuar Donald Trump më 2018 që t’i vinte sanksione Venezuelës.

Ai konsiderohet edhe përkrahës i madh i luftës së Izraelit në Gazë duke e cilësuar Hamasin “100 për qind fajtor”.

Rubio ishte zgjedhur për herë të parë në Senat më 2010. Më 2016 ai ishte kundër Trumpit në garën e republikanëve për president. Atë kohë Trump i kishte vënë emri “Marco i vogël”.

Por pas fitores, Rubio shërbeu si këshilltar i brendshëm për politikë të jashtme i Trump.

Sekretari i Shtetit është figura kryesore e Qeverisë Federale dhe shefi i Departamentit të Shtetit. Është figura e dytë më e lartë në kabinetin e presidentit pas zëvendëspresidentit.