Nga Lajla Përnaska/

Gara zgjedhore Presidenciale në SHBA, u përcoll me shumë vëmendje edhe tek ne.
Sidomos për realitetin tonë politik, prej saj na duhet të nxjerrim disa mësime të thjeshta demokracie. Ndër të tjera, një lëvizje e Presidentit të sapozgjedhur, Z.TRUMP ishte dje dhe vendosja si Shefe e Kabinetit të tij të ardhshëm (një pozicion tejet i rëndësishëm), të Znj. Susie Wiles, madje duke e falenderuar publikisht për kontributin e saj. Po të shohësh CV-në e Znj.Wiles kupton lehtazi se ke të bësh me një figurë domethënëse që mishëron tiparet e një gruaje Model në detyrë. Znj.Wiles ka arritur sukses në një fushë ku gratë historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara, veçanërisht në nivelet më të larta të strategjisë politike dhe fushatave elektorale.
Por dhe imazhi i saj flet vetë dhe është pikërisht ai i një Zonjë Fisnike, të urtë e të mençur.

Ky Model i profesionalizmit e maturisë, i fisnikërisë e mençurisë, është i preferuari në mjaft kultura shoqërore. Dhe dua të besoj së është i preferuari edhe i shumicës së shqiptarëve gjithashtu. Por realiteti ynë na përplas shpesh në fytyrë, antitezën e këtij Modeli:
-së pari nga parti politike, që sajojnë “figurina politike”, për interesa, apo preferenca të Kryetarëve të tyre.Të vret shpesh sytë në Foltore politike, Modeli i silikonit dhe i formës, dhe jo ai i përmbajtjes dhe i mendjes. Madje është bërë i rëndomtë Modeli i “politikanes”, që operon sipas trekëndëshit : qënder estetike, paradhomë e Kryetarit, foltore (ku lexon letrat e Kryetarit, apo riprodhon kasetën e regjistruar nga Kryetari)! Sa për ndonjë ide e mendim personal, vështirë ta gjesh. Sigurisht, s’kanë pikë eksperince e profesionalizmi.Turp e trishtim bashkë!!!.
Fort për zemër e ka këtë model dhe ndonjë moderator mediatik,që promovon e i ofron partisë “kandidate trendy”, për medemek politikane.

Po përse ky degradim? Arësyet janë disa, por fakt është se sistemi zgjedhor pa garë, pa votë dhe me listë të mbyllur (totalisht anti-demokratik), e deformoi keqazi figurën politike të grave e burrave bashkë, duke i formëzuar në mjaft raste si marjoneta, apo jeniçerë kryetaresh, të shkëputur totalisht nga komunitetet dhe interesat e qytetarëve.
Për më tepër sistemin e listës së mbyllur e rivotuan në ortakëri të plotë PS-PD ne korrik 2024, vetëm në ineres personal të pushtetit të kryetarëve partiakë dhe oborrtarëve të tyre, për të ruajtur karriket parlamentare.

Shqiperia, më shumë se kurrë ka nevoje per Modelin e garës së hapur, me merita dhe Profesionalizëm, në çdo fushë:
-Modeli i garës brenda Partive Politike.
-Modeli i Garës në parlament e qeverisje ( me aftësi e merita, jo me nepotizëm , a grupe interesi).

Vetëm kështu mund të bashkangjitemi drejt një Bote: asaj të përparuar e demokratike dhe të mos ngelim ende në botën tjetër : atë të prapambetur, e pseudo-demokratike!