Një lajm i bujshëm ka ardhur nga Spanja, e cila prek dhe Kombëtaren shqiptare të futbollit.

Prestigjiozja spanjolle, “Mundo Deportivo”, ka zbuluar në një artikull trajnerët që mund të zëvendësojnë argjentinasin Tata Martino në drejtimin e Inter Miamit.
Mes emrave të njohur si Xavi, Mascherano, Lampard et., një opsion është edhe ai i Sylvinhos.

Historia e lartpërmendur nga Mundo Deportivo shton se Sylvinho është një opsion për Inter Miami, pasi braziliani bëri përshtypje në rolin e tij në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë.

David Beckham, i cili është dhe administrator i klubit amerikan, ku bëjnë pjesë yje si Messi, Suarez, Busquets etj., kërkon menjëherë një trajner të ri për të nisur punën me skuadrën përpara sezonit të ri që starton në shkurt, teksa Inter Miami do të përgatitet dhe për Botërorin e Klubeve që do të mbahet verën e ardhshme, si një klub i ftuar nga FIFA.