Një histori e pazakontë ka tronditur mediat italiane, ku një 90-vjeçar italian, i cili ka jetuar në Rimini dhe ka punuar në pozita të larta në kompani të njohura, ka mbajtur për 20 vjet një lidhje të fshehtë jashtëmartesore me një shqiptare 48 vjet më të re. Lidhja u zbulua kur ai planifikoi një transfertë prej 40 mijë eurosh për ish-të dashurën e tij, tashmë 42 vjeçe, e cila ishte vetëm 22 vjeçe kur ata u takuan në vitin 2000.
Transferta alarmoi familjen e tij, e cila e akuzoi shqiptaren për “abuzim me gjendjen e dobësisë” të të moshuarit, duke e denoncuar atë për mashtrim. Pas denoncimit, Prokuroria e Riminit bllokoi llogaritë bankare të të dyve dhe filloi hetimet, duke urdhëruar një vlerësim psikiatrik të burrit për të verifikuar gjendjen e tij mendore.
Lidhja kishte filluar në vitin 2004, kur italiani, një menaxher në karrierë, u njoh me shqiptaren që punonte si banakiere. Ata krijuan një lidhje të fshehtë dhe ai i dha asaj dhurata të shumta, përfshirë udhëtime dhe rroba. Sipas familjarëve të 90-vjeçarit, ajo e ka mashtruar duke përfituar nga mosha e tij dhe ka marrë dhurata dhe para që arrijnë në vlerën 200 mijë euro.
Avokati i 42-vjeçares e kundërshton akuzën, duke theksuar se nuk ka pasur abuzim me të moshuarin. Të dy palët presin një raport psikiatrik që do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje../Corrieredibologna