Jurisiti Skerdjan Dhuli, ka komentuar lirimin e Sali Berishës nga arresti i shtëpisë. I ftuar pasditen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv, me gazetarin Arbër Hitaj, ai u shpreh se Berisha u lirua pasi ndikoi fitorja e Donald Trump dhe publikimi i rezolutës së Partive Popullore Europiane.
Në fillim është fitorja e Trump dhe rezoluta e partive popullore europiane, pastaj ishte gjykata e Strasburgut duke thënë që çështja duhet të trajtohet me prioritet. Duke parë që goditjet vinin për Ramën, atëherë Rama do ta lejonte ta lironte gjykata sepse ai e burgosi. Ai e burgosi dhe ai e liroi prap, sepse Rama ka kuptuar që rezoluta e partive popullore europiane është grusht turinjve’, tha ai.
Teksa u ndal tek zgjedhjet 2025, Dhuli tha se Partia Demokratike betejën e ka me veten.
PD e ka betejën me veten, sepse duket ti ofrojë shqiptarëve më të mirën e mundshme. Partitë e vogla s’mund ta kenë betejën me PD, sepse nuk besoj se ka ndonjëra dëshirë që të rrijë në politikë. PD është sot në opozitë dhe ti bësh luftë PD për të qëndruar në opozitë, s’ka asnjë kuptim, sepse Rama do të rrijë prap në pushtet. Pas zgjedhjeve nëse fiton Rama s’ka më interes kush është opozita, nëse në pushtet do të rrijë prap ai që vjedh. Rama në pushtet mund ta mbajnë artificet dhe sistemi elektoral’, tha ai.
Themeluesja e partisë ‘Aleanca Kombëtare Shqiptare’, Inida Gjata teksa u ndal tek protestat e opozitës, e cilësoi si çmenduri bllokimin e rrugëve duke i lënë qytetarët në trafik me orë të tëra.
‘PD ka shumë haqe për të larë, çfarë do të bëjë ndryshe Berisha, nga çfarë ka bërë deri tani. Mosbindja civile është një tmerr, sepse njerëzit kanë pritur me orë të tëra në trafik për të shkuar në shtëpi. Të bllokosh rrugët se do Saliu dhe Ilir Meta, të rrinë njerëzit në makina nga 3 orë, ajo është një farsë, një çmenduri. Nuk mund të heqim Ramën dhe të sjellim Berishën’, tha ajo.
Ajo tha se partia ‘Aleanca Kombëtare Shqiptare’, nuk do të bashkëpunojë me asnjë parti tjetër në zgjedhjet parlamentare 2025.
‘E shoh të domosdoshme jo vetëm unë por edhe Elena Kocaqi që të angazhohemi politikisht, sepse nuk besojmë tek asnjë nga partitë që janë sot. Më një grup ekspertësh ne jemi duke bërë një program, do të njiheni edhe më vonë me detaje të programit. Ne dum që edhe shtresa të tjera sociale të ndihen të përfaqësuar. Ne jemi serioz në grupet me ekspertë dhe po analizojmë situatën katastrofike në të cilën është vendi. Ne kemi deputet të shkëlqyer, ekspertë, program dhe s’kemi nevojë për asnjë bashkëpunim me asnjë’, tha ajo.