Nga Eduard Zaloshnja/
Nga një sondazh që prezantova mbrëmë në Report TV (https://shqiptarja.com/lajm/a-do-ja-heqetrump-non-graten-sali-berishes-termometri-politik-per-nentorin-sondazhi-ekskluziv-ne-bashkepunim-me-eduard-zaloshnjen-neser-ne-report-tv-ora-2100 ), rezultoi se vetëm 40.6% e zgjedhësve të prirur për të votuar (këtu dhe në emigracion) kanë një vlerësim pozitiv për punën e qeverisë në përgjithësi. Nga ana tjetër, vetëm 32.4% e zgjedhësve të vendosur për të votuar qysh sot (këtu dhe në emigracion) janë gati të votojnë për partinë më të madhe opozitare, PD-në.
Hendekun e madh mes këtyre dy shifrave e mbushin zgjedhës që votojnë sot për parti të vogla dhe votues që janë të prirur për të votuar, por që janë ende të lëkundur.
Po pse vetëm 1/3 e atyre që janë të vendosur të votojnë qysh sot ia japin votën PD-së, partisë më të madhe opozitare?
Në krye të saj është një 80-vjeçar që iku nga pushteti pasi mori 1 milion “shuplaka” elektorale në zgjedhje para 11 vjetësh, dhe që u rikthye me vrull në krye të PD-së vetëm pasi po i ngushtohej laku i drejtësisë për çështje penale si “Klubi Partizani”, “21 janari”, etj. Votuesit e zonës gri e nuhasin siç duket këtë gjë, dhe vetëm simpatizantët e tij të flaktë janë gati qysh sot të votojnë për PD-në.
Fakti që kryetari aktual i PD-së është 80-vjeçar dhe synon të rikthehet në pushtet pas një dështimi elektoral, nuk e përjashton mundësinë e suksesit të tij. Tek e fundit, Trumpi është 78 vjeç dhe u rikthye në pushtet, pasi iku prej prej pushtetit me zgjedhje. Por në rastin e Trumpit, ai iku nga pushteti vetëm për 44 mijë vota (sa popullsia e Pogradecit) në katër shtete kyçe të federatës amerikane (në gjithë SHBA-në votuan plot 160 milionë zgjedhës kur humbi Trumpi). Ndërsa kryetari aktual i PD-së iku nga pushteti me 1 milionë “shuplaka” elektorale, kur votuan gjithsej 1.72 milionë shqiptarë…
SHËNIM: Partive të reja ia japin votën 14% e atyre që janë të gatshëm të votojnë qysh sot. Por përvoja e gjatë e sondazhve parazgjedhore në Shqipëri ka treguar se partitë e reja dalin mirë në sondazhe shumë muaj para zgjedhjeve, por treten si kripa në det muajin e fundit të fushatës zgjedhore. Si rezultat, shumica dërrmuese e mandateve ndahen zakonisht mes dy partive të vjetra kryesore. Të shohim nëse kësaj rradhe, partitë e reja nuk do treten si kripa në det…