Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas ekstradimit të rusit Igor Kokunov.

Reagimi i plotë:

Me kërkesë të autoriteteve ruse (Interpol NCB Moska) është shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasi Rus I.K., për shkak se ndaj tij gjykata e Moskës, në dt.18.02.2022 ka dhënë masë sigurimi arrest në burg, si i dyshuar për kryerjen e një vepre penale. Shtetasi Rus I.K, rezulton se është arrestuar në dt.27.08.2023, nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës dhe me vendimin e dt. 14.112023, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur ekstradimin e tij në Federatën Ruse. Ky vendim është lënë në fuqi, nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të dt.20.02.2024 si dhe me vendimin e Gjykatës së Lartë, të dt.24.09.2024.

Në dt.14 Tetor 2024, rezulton se Ministri i Drejtësisë ka miratuar urdhërin e ekstradimit të shtetasit I.K, duke vendosur si afat për ekstradimin dt.30 Tetor 2024, ora 18:20, urdhër të cilin KShH nuk e disponon, por ai citohet në vendimin e Gjykatës tonë Kushtetuese që do të përmendet në vijim.
Po në dt.30 Tetor, ora 17:15, Gjykata Kushtetuese rezulton se ka dhënë një vendim që pezullon të gjitha procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, duke e arsyetuar me mospublikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që lë në fuqi ekstradimin si dhe për faktin që Federata Ruse nuk është më pjesë e Këshillit të Evropës, bazuar në pretendimet e tij lidhen me mbrojtjen e të drejtave konventore (KEDNJ), si dhe për faktin se Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) në vitin 2022 ka konstatuar për këtë shtetas shkelje të neneve 3 dhe 5 të KEDNJ.

Në faqen e saj zyrtare, rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka publikuar me anë të një deklarate për shtyp, një procesverbal për dorëzimin e shtetasit I.K, i cili është mbajtur në dt.30 Tetor 2024, ora 16:45, sipas së cilit është kryer dorëzimi i të ekstraduarit nga Tirana nëpërmjet Aeroportit të Rinasit (Komisariatit të Policisë Rinas) drejt Rusisë . Kopja e këtij procesverbali i është dhënë edhe oficerit Rus prezent, ndërkohë që nuk ka informacion zyrtar nga institucionet e përfshira në procedurën e ekstradimit se në cilën orë është ngritur avioni me anë të të cilit është bërë ekstradimi i këtij shtetasi.

Vlen të theksohet se dorëzimi i këtij shtetasi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është bërë 1 orë e 35 minuta më parë, se orari i parashikuar në Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë, të cituar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, duke patur parasysh orën e ekstradimit të caktuar në Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë (18:20), vendimin për pezullimin e përkohshëm të ezekutimit të procedurave të ekstradimit të shtetasit e ka marrë vetëm 1 orë e 5 minuta para orës së ekstradimit, të urdhëruar nga Ministri i Drejtësisë. Në deklaratën e cituar më herët të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të dt.30 Tetor 2024 thuhet se për vendimin e pezullimit, Ministria e Drejtësisë është njoftuar me email në orën 17:53.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson se moskoordinimi i veprimeve të mësipërme si dhe vonesat në procedurat e ndjekura janë shoqëruar me pasoja të dëmshme. Ndërsa procedurat për ekstradim pezullohen me një vendim të detyrueshëm të Gjykatës kushtetuese, I.K është ekstraduar. Mosezkekutimi i vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese e ka cenuar jo vetëm të drejtën për një proces të rregullt ligjor por edhe procesin e mbrojtjes që shteti Shqiptar duhet t’i ofrojë shtetasve të huaj që ekstradohen, kur ata pretendojnë se në vendet e origjinës (vendi kërkues) do i nënshtrohen torturës dhe trajtimit ç’njerëzor. Kjo bie ndesh me garancitë procedurale të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ndalon në terma absolutë torturën dhe trajtimin ç’njerëzor.

KShH nuk ka informacion zyrtar se në cilën orë është ngritur avioni me të cilin bëhej transportimi i këtij shtetasi nga territori Shqiptar (aeroporti i Rinasit). Me informacionet që KShH disponon për rastin, të cilat nuk janë të plota në aspektin e dokumentacionit zyrtar, ne vlerësojmë paraprakisht se Gjykata Kushtetuese duhet të bënte çdo përpjekje që ky vendim jo vetëm të dërgohej me email por edhe ti komunikohej në kanale të tjera zyrtare autoriteteve të cilave ai j’u drejtohet, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Interpolit në Policinë e Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Avokaturës së Shtetit (qoftë edhe me anë të telefonit zyrtar). I gjithë zinxhiri i aparatit shtetëror të këtyre institucioneve duhej të vendosej në lëvizje menjëherë, që ekstradimi i shtetasit rus të mos ndodhte, nëse ai ndodhej në territorin shqiptar në kohën kur atyre j’u është komunikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

KShH sheh me shqetësim gjithashtu faktin se në dt.18 Tetor 2024, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, bazuar në informacionin e vendosur në dispozicion nga avokati i shtetasit Rus, i është drejtuar me shkrese zyrtare Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, duke nënvizuar se duke qenë se shtetasi ka aplikuar për të përfituar azil në Republikën e Shqipërisë, ekstradimi i tij nuk mund të lejohet sipas parashikimeve të ligjit nr.10193, dt.03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjen penale”, si dhe ka kërkuar informacion mbi fazën në të cilën ndodhet shqyrtimi i kërkesës së këtij shtetasi për azil. Por lidhur me këtë shkresë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë, KShH ende nuk disponon një përgjigje.

KShH j’u sugjeron të gjitha autoriteteve të përmendura në këtë shkresë që me transparencë dhe llogaridhënie të plotë, të informojnë publikun si dhe të hetojnë me prioritet përgjegjësitë lidhur shkeljen e standarteve të ekstradimit, në vijim të vendimit të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese që e pezullon përkohësisht këtë proces.