Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj, ka ndarë përvojën e dhimbshme të tij dhe të familjes, duke folur për momentet e fundit të motrës së tij. Në një prononcim për Telegrafi.com, ai ka shpjeguar se Liridona u vra në automjet, përpara fëmijëve të saj të mitur dhe në praninë e bashkëshortit, Naim Murselit. Ai theksoi se ngritja e aktakuzës dhe dënimi maksimal i autorëve të krimit do të ishte një lehtësim për familjen e tij dhe për gjithë shoqërinë.

Leonard Ademaj ka thë se sipas planit ishte kërkuar që Granit Plava të ekzekutonte motrën e tij e cila mbahej e shtrënguar nga krahu nga bashkëshorti i saj. Fëmijët e Liridonës janë aktualisht nën kujdesin e autoriteteve sociale në Suedi, dhe, sipas Leonardit, ata janë shumë të shqetësuar për momentet e fundit që kanë kaluar me të ëmën dhe për tradhtinë që kanë pësuar nga babai i tyre.

Rrëfimi i Leonard Ademajt:

Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nënë para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që Prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit.

Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe së bashku të tre duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat.

Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veturë në prezencë të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë.

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët dhe falënderojmë autoritetet suedeze për kujdesin që po u ofrojnë. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin në veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa me lehtë. Falënderojmë të gjithë ata që na kanë shprehur ngushëllime, bashkëndjenjë dhe solidarizim. Ky është një moment shumë i dhimbshëm, jo vetëm për familjen tonë, por për gjithë shoqërinë kosovare. Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Ngjarja:

Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit. Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit. Gjithashtu në pranga u vu edhe një person i katër si i përfshirë në vrasje. Tomë Dodaj nga Gjakova dyshohet se iu ka shitur armën Naim Murselit dhe autorit të krimit Granit Plava.