Burime diplomatike greke vlerësojnë se zgjedhja e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë sjell për Athinën zyrtare më shumë avantazhe sa disavantazhe.
Kyriakos Mitsotakis në një takim që ka pasur me presidenten greke disa orë para zgjedhjeve kishte deklaruar se natyra strategjike e marrëdhënieve greko-amerikane nuk do të ndikohet nga rezultati i tyre.
Por në një deklaratë të re pas rezultatit, kur ka uruar Presidentin Trump për fitoren e tij, i bindur , siç ka thënë se se marrëdhëniet greko-amerikane do të vazhdojnë të jenë të forta dhe produktive, Mitsotakis ka shtuar se pret tashmë një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy qeverive dhe dy popujve.
“Ju kujtoj se bashkëpunimi mes Athinës dhe Uashingtonit ka qenë i shkëlqyer edhe gjatë mandatit të parë të Presidentit të ri. Po kështu, dua t’ju kujtoj se ftesa shumë e nderuar për mua për të folur në Kongres ishte një ftesë e përbashkët, si nga Partia Demokratike ashtu edhe nga Partia Republikane. Së fundi, do të përsëris se qëndrimi i Greqisë, si anëtare e NATO-s dhe si partnere e Bashkimit Evropian, është gjithmonë qëndrim parimor dhe këto parime nuk janë të përcaktuara nga të tjerët’-shprehet Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë
Siç vlerëson Athina përparësitë për të , vijnë në rradhë të parë nga fakti se Donald Trump dihet se ka një intolerancë ndaj qeverive dhe vendeve anëtare të NATO-s, me shpenzime të kufizuara për mbrojtjen dhe kontribut të vogël financiar në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Por Greqia nuk është një rast i tillë, përkundrazi, është ende një nga vendet anëtare të NATO-s me shpenzimet më të larta të mbrojtjes, në nivelet 3%-4% të PBB-së.
Nga ana tjetër një parametër kritik për Greqinë është mënyra se si rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të ndikojë në marrëdhëniet greko-turke, kur dihet në të kaluarën lidhja e privilegjuar Trump-Erdogan.
Dhe në këtë kuadër, askush në Athinë nuk mund të jetë i sigurtë nëse qeveria e re e Donald Trump , do të zhbllokojë marrëveshjen e “ngrirë” SHBA-Turqi për programin e blerjeve të avionëve F-35, ndërkohë që Greqia ka porositur 20 prej tyre që do ti shtohen flotës së saj ajrore deri në vitin 2028 dhe nuk do që edhe fqinji i saj lindor, të ketë të njëjtat armë.