Me kthimin e ish-Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ukrainasit po bëhen gati për ndryshime në politikën e Shteteve të Bashkuara që mund të transformojë luftën e saj për mbijetesë ndaj agresionit rus. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, plani i zotit Trump mund të marrë një kthesë krejtësisht tjetër nga ajo e përkrahjes së palëkundur të administratës së Presidentit Biden ndaj Ukrainës, duke shtuar shqetësimet se ndihma jetike amerikane mund të rrezikohet. Kur lajmi për fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale arriti në Ukrainë, kafeteria “Trump” në qendër të Kievit u ofroi pije pa pagesë klientëve të saj. Një nga drejtuesit e këtij biznesi Roman Kravzov, është i lumtur me zgjedhjen që bëri Amerika.
“Mendojmë që njëri prej momenteve më të rëndësishme të historisë fillojnë tani. Mendojmë se është shumë mirë”, tha ai. Por jo të gjithë ukrainasit ndajnë gëzimin e tij. Disa po përgatiten për ndryshime në politikën amerikane.
Analisti Mark Voyger pranë Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane, flet për një shqetësim të përbashkët. “Zoti Trump mund të vendosë t’i bëjnë trysni Ukrainës duket mos i dhënë përkrahjen ushtarake, financiare, diplomatike dhe politike, në mënyrë që t’ua paraqesë përkrahësve si një lloj paqeje”, tha ai.
Analisti Voyger thotë se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të marrë veten, riorganizuar për të sulmuar sërish në të ardhmen. Ai thotë se premtimet e zotit Trump për t’i dhënë fund luftës sugjerojnë se ai mund t’i detyrojë Ukrainën dhe Rusinë të ulen në tryezën e negociatave. “Fatkeqësisht, e vetmja mënyrë se si zoti Trump mund ta ndalë këtë luftë është nëse i bën trysni Ukrainës që të pushojë së luftuari dhe të pajtohet për një armëpushim, si edhe të bjerë dakord të heqë dorë nga territoret e pushtuara sipas kërkesave të Rusisë”, tha analisti Voyger.
Ish ministri ukrainas i infrastrukturës që tani shërben në ushtri Volodymyr Omelyan i konsideron qëllimet e zotit Trump si të sinqerta por jorealiste. “Mendoj se Trump-i është i sinqertë kur thotë se do t’u japë fund të gjitha luftërave. Do ta uroja që të mund ta realizojë sepse do të ishte njeriu i parë ndër shekuj që e bën një gjë të tillë”, deklaroi ai. Për Ukrainën, çfarëdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë sovranitetin e saj, pa praninë e ushtarëve rusë në territorin e saj, thonë ekspertët.
Disa ukrainas thonë se një nismë për të arritur paqen mund të sjellë mundësi të reja në bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. “Është e rëndësishme të hiqen kufizimet për sulmet që depërtojnë thellë dhe që Ukrainës t’i jepen raketa me rreze të gjatë veprimi, sidomos në këtë periudhë pas dërgimit të trupave nga Koreja e Veriut, të cilët po mbështesin agresionin rus ndaj nesh. Dhe natyrisht, ne besojmë në një qasje më pragmatike, sidomos bashkëpunimit ekonomik”, thotë ish ligjvënësja ukrainase Hanna Hopko. Ukrainasit përballen me nevojën e balancimit të shpresës për paqe dhe rrezikut nga një marrëveshje e nxituar që mund të kërcënojë sovranitetin e vendit të tyre.