100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, festuar me anë të një torte gjigande e vendosur tek Pallati i Kulturës, do të ngelet gjatë në memorie për më shumë se një arsye.
Adrian Millonaj, ideatori i tortës gjigante për 100 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa tregoi për emisionin “Jetë shqiptare” punën e palodhur që bënë për realizimin e saj, shpreh se ndjeu keqardhje për imazhin që u transmetua, pasi qëllimi ishte që të thyenin tabu në vendin tonë.
“Ka qenë si sfidë. Si fillim synuam guinessin. Si përfundim bëmë një tortë 650 metra. Unë ë kam përjetuar shumë incidentin atë kohë. Më erdhi keq fillimisht, ideja e imazhit pasi ne u nisëm për të thyer një tabu dhe nëse do bëhej ashtu siç e kishim planifikuar, nuk do ishim sot me këtë imazh. Mendoj që ndoshta po të kishte shkuar sipas planit tonë, mund të ishte një pikë plus për Europën ose për të treguar kush jemi ne. Torta do prishej gjithsesi dhe nuk është lajm vetëm fakti që u shfaqen me legena apo qesë sepse këto ndodhin edhe në botë, sikurse kur ka ulje. Po unë kam shpërndarë tortë, por mediet zgjodhën të mjaftoheshin vetëm me ato pamje. Pra morën vetëm të keqen. Ishim shumë të fokusuar dhe me përgjegjësi. Pritshmëria ishte që të gjithë do provonin tortën sikurse krerët e qeverisë apo dhe qytetarët. Nga ana profesionale u arrit, thjesht nuk morën atë impaktin e fundit që do donim”, tha realizuesi i tortës.
Përpos historikut të tortës gjigante, Millonaj u shpreh i gatshëm që ta ribënte atë tortë si një tjetër eksperiencë.