Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit që përjashtoi deputetët e Partisë Demokratike për një periudhë 40 dhe 60 ditore. Deputetët e PD-së kishin apeluar masat disiplinore dhe me vendimin e kësaj të mërkure, Gjykata e ka pranuar kërkesën e tyre, duke hedhur poshtë dënimet.

Vendimi i dhënë është me ekzekutim të përkohshëm, që do të thotë se ai është në fuqi menjëherë.

Kujtojmë se 24 deputetët e PD-së u përjashtuan nga seancat plenare në Kuvend për shkak të kaosit të krijuar në seancën e 30 shtatorit, ku deputetët demokratë nxorën jashtë karrgiet e parlamentit në oborr dhe i vunë flakën me benzinë.

Ndërsa më datë 2 tetor, Sekretariati i Etikës në Kuvend pas kërkesës së grupit parlamentar socialist vendosi përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së nga seancat plenare. Për 2 zjarrëvënësit e karrigeve të deputetëve në oborrin e Kuvendit, sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka e deputetin demokrat Bledion Nallbati masa ishte përjashtim për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.

Dy muaj përjashtim ishte edhe për kryetarin e grupit të PD-së, Gazment Bardhi i cili qëlloi me këmbën e karriges në drejtim të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali. Ndërsa për 20 deputetët e tjerë që ndihmuan skenarin e kaosit, duke tërhequr karriget në drejtim të oborrit të parlamentit, aty ku edhe iu vu flaka, u dha përjashtim 40 ditë. Vetëm për Edi Palokën, në mesin e 24 të ndëshkuarve pati amnisti, pasi ky i fundit u përjashtua me 10 ditë kalendarike nga jeta parlamentare.