Ndeshje tepër të rëndësishme e konsideron atë me Shqipërinë mbrojtësi i Çekisë, Tomas Holes. 31-vjeçari i cili është aktivizuar në të gjitha përballjet mes dy ekipeve edhe pse thotë që fatin e kanë vetë në dorë e di mirë që do të jetë e vështirë në Tiranë.
“Po presim të luajmë ndeshjen më të rëndësishme dhe jemi të lumtur që gjithçka është në dorën tonë. Do të jetë një ndeshje ndryshe në krahasim me atë që Pragë. E dimë atmosferën e ndezur që na pret atje dhe që do të jetë një ndeshje e fortë”.
Holes tha se afrimet e reja janë ambientuar shpejt dhe se ekipi do të ecë në rrugën e duhur. Çekia bëri disa ndryshime para nisjes së grumbullimit për shkak dëmtimesh ku mes të thirrurve ka edhe debutues si mesfushorët Matej Sin dhe Jiri Boula. Ivan Hasek ka 23 futbollistë në dispozicion.