Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u ka nisur nga qelia, një letër anëtarëve, simpatizantëve dhe Kryesisë së PL-së, ku u kërkon nisjen e protestave para SPAK, pasi u arrestua në 21 Tetor për dosjet e lobimit në SHBA dhe CEZ-DIA.

“Organizoni protesta periodike paqësore kundër SPAK, denonconi aferat korruptive që SPAK po i amniston. Çmontoni këtë organizatë që i shërben narkoregjimit”, shkruhet ndër të tjera në letrën e tij, që e lexoi sot (20 Nëntor) në mbledhjen e Kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm, Tendi Blushi.

Ndërkohë, dy ditë më parë Meta kërkoi që askush të mos protestojë, pasi sipas tij persona të paautorizuar prej tij do të protestonin përpara dyerve të Gjykatës së Posaçme të Apelit, ku do të shqyrtohej ankimi i tij për ndryshimin e masës së sigurisë.