Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë një intervistë nga qelia për gazetën Panorama.
Gjatë kësaj interviste, Meta tha se nuk ndjehet i burgosur, “por thjesht i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike”.

“Së pari, për të paralizuar aktivitetin e Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare dhe për të dobësuar reagimin dhe veprimin opozitar. Sepse s’kishte asnjë arsye për këtë akt ekstrem kur dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe u jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë. Po kështu, unë i kam pasur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja, ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin.
Llogaritë e tyre për të më bllokuar e “lodhur” gjatë 10 muajve të fundit nuk funksionuan. As përpjekja e tyre për të prishur Konventën historike të 27 prillit, që miratoi 5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus. Dështuan edhe përpjekjet e mëpasshme për të bllokuar organizimin e Partisë së Lirisë dhe veprimtarinë e saj financiare, aq sa financierja e PL për 20 vite u largua nga detyra vetëm duke lënë çelësat te roja e partisë dhe pa bërë asnjë dorëzim, detyrë e sqarim të problemeve të trashëguara.
Por zgjedhjet po afrojnë dhe koha nuk u priste më ndaj vepruan në këtë mënyrë banditeske. Duan të çorodisin e trembin opozitën e vërtetë dhe të krijojnë hapësira për partiçkat ‘fake’ opozitare, që ushqehen nga regjimi, nga qeveria, bashkia dhe fondacionet famëkeqe të rekrutimit dhe shpëlarjes së mendjes të të rinjve,” tha Meta.