Nuk ishte në kushte perfekte, por në sfidën e fundit në Champions League aziatike, i mjaftuan vetëm 19 sekonda për të realizuar golin e fitores kundër Shangai Shenhua. Asani u hodh në fushë në pjesën e dytë pasi nuk ishte në gjendje optimale, dëmtimi që pësoi me kombëtaren kuqezi nuk ishte i lehtë, një dëmtim që me sa duket e ka bërë që mëngjarashi shqiptar të mbyll vitin.
Në mënyrë të papritur, me anë të një reagimi në rrjetet e tij sociale, Asani theksoi se kjo ishte sfida e tij e fundit për këtë vit pasi e ka të pamundur të jetë në dispozicion të ekipit: “Për shkak të një dëmtimi nuk mund të jem pjesë e ekipit në ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Për mua përfundon një sezon i gjatë, ku munda të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën. Dua të falënderoj shokët e skuadrës, trajnerin, drejtuesit dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre”.
Në këtë mënyrë, Asani nuk do të jetë në ndeshjen e fundit të Champions League aziatike, atë kundër Shangai Port, sfida e cila është në program për t’u zhvilluar më 3 dhjetor. Kujtojmë që Asani është golashënuesi më i mirë i këtij turneu me 7 gola të shënuar dhe një assist.