Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës i dërgoi sot në sallën e parlamentit, ku hyri bashkë me Albin Kurtin, mesazhet më të ashpra, vetë Albinit, duke i thënë hapur dhe drejtpërdrejt se nuk mund të luhet bixhoz me interesat e Kosovës.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim dhe as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euro atlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë.” , tha Osmani.

Osmani ia bëri të qartë Kurtit pozicionin e saj lidhur me aleancat e Kosovës dhe vendet aleate, duke thënë se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido politikan apo cilado palë zgjedhjesh.

“Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore. Do të shihni qindra deklarata e fjalime sesi çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleaët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara.”