Rruga te Pallati me Shigjeta vijon të jetë e bllokuar, edhe pse ka patur tentativa nga shoferët që kanë kërkuar për të kaluar rrugën por nuk janë lejuar. Në një deklaratë për A2 CNN, Klevis Balliu i bëri thirrje policisë që të merret me bandat dhe sigurinë e fëmijëve në shkolla dhe jo me qytetarët protestues.

“Protesta do të vazhdojë deri në momentin që qytetarët do ta shohin të arsyeshme ka pasur pjesëmarrje të lartë të qytetarëve. Falënderoj çdo protestues. Është shumë e vështirë të përballesh në këtë situatë ku ndodhet Shqipëria, ku ligji e kushtetuta nuk kanë rëndësi. Protesta është e drejtë kushtetuese, ne kemi njoftuar policinë.

Cila është arsyeja që ndërhyn policia? Rrugën këta e bllokojnë për ditën pa makina, për maratonën. Sheshi Nënë Tereza është aktualisht i bllokuar për një festë të Veliajt. Të bllokosh rrugën për të mbrojtur ligjin, shtetin fëmijët qenka vepër penale, kurse ta bllokosh që të vjedhë Veliaj para nuk është vepër penale.

I bëj thirrje policisë që të merret me bandat kriminale jo me qytetarët, të merren me sigurinë e jetës së fëmijëve në shkolla, të merren me hetimin e kapjen e kriminelëve që kanë mbushur rrugët e Tiranës me gjakun e të rinjve. Falë pushtetit të Ramës bandat bëjnë qejf. Nëse kaq shumë policisë do ishin në Shkodër, Lezhë, Elbasan e Durrës nuk do kishim këtë situatë me bandat”.

Ai tha se nuk ka ende një vendim nëse do t’i bashkohen protestës në pjesët e tjera të kryeqytetit.

“Ajo që garantojmë ne është mbështetja ndaj qytetarëve dhe dua t’i falënderoj shumë për këtë mbështetje. Një polici e tërë i turret qytetarëve. Aktualisht duam ta vazhdojmë këtë protestë mosbindja civile do të vazhdojë. Ka humbur jetën një 14 vjeçar dhe këtu nuk mban përgjegjësi askush”.