Programi Kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë falas për të gjithë grupmoshat nga 35-70 vjeç pranë të gjitha Qendrave Shëndetësore në vend, u ka ardhur në ndihmë qytetarëve për zbulimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundjeve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kreu sot Kontrollin Bazë Mjekësor në Poliklinikën numër 9 në kryeqytet dhe zhvilloi një bashkëbisedim me stafin mjekësor mbi rëndësinë e këtij Programi për qytetarët, por edhe për vetë mjekët e familjes të cilët mund të mbajnë nën kontroll dhe parandalojnë në kohë problematika të ndryshme shëndetësore.
“Tani dolëm nga tetori rozë dhe biem dakord të gjithë që nuk duhet ta mbajmë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin vetëm gjatë tetorit rozë por duhet ta shtrijmë çdo muaj. Dhe Kontrolli Mjekësor Bazë është një nga ato programet i cili ka në thelb shëndetin e popullatës për të diagnostikuar hershëm çdo lloj problematike dhe shqetësimi”, u shpreh ministrja Koçiu.
Mjeku i kësaj Poliklinike informoi se pas kryerjes së Kontrollit Bazë Mjekësor, veçanërisht te popullata e re, nga mosha 40 deri në 50 janë shfaqur problematika të diabetit.
“Unë dhe kolegët themi gjithmonë, është më mirë të kontrollohesh kur nuk ke shqetësime dhe është më mirë të dish që në një kohë të dytë të parandalosh një sëmundje, patologjie që mund të jetë problematike”, u shpreh mjeku Artan Bitri.
Mjeku epidemiolog Alban Ylli u shpreh se “ka filluar një praktikë në Shqipëri që ne masim hipertensionin çdo vit, një kampion shumë i madh i popullatës dhe ne kemi parë në tre studime të publikuara, që jo vetëm kanë ndërgjegjësim më të madh, personat që nuk e dinin janë gjithmonë e më pak mes atyre që identifikojmë me hipertension, por ata që e kanë nën kontroll janë gjithmonë e më shumë. Është një rritje 35% e personave që e kanë nën kontroll hipertensionin dhe diabetin, dhe kjo është një gjetje shumë e rëndësishme. Vdekshmëria jo vetëm që nuk është rritur, por për disa probleme është ulur dhe kjo shpjegohet vetëm me kapjen dhe identifikimin më të hershëm të sëmundjeve”.
Koçiu u shpreh se koha e nevojshme për kryerjen e ekzaminimeve të Kontrollit Bazë Mjekësor është 10 deri në 15 minuta.
“Të shkojmë tek mjeku i familjes të bëjmë një intervistë të shkurtër dhe të përfitojmë nga analiza shëndetësore të cilat na kapin në kohë çdo lloj problematike. Analiza të vilat janë falas për targetgrupin 35-70 vjeç. Kështu që le të përfitojmë nga kjo mundësi të marrim pak kohë për veten dhe të bëjmë një ekzaminim për të na kujtuar se çfarë duhet të kemi kujdes dhe si do duhet të jetojmë shëndetshëm. Çdo ditë dhe muaj të vitit të kujdesemi për veten”, apeloi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Që nga nisja e Kontrollit Mjekësor Bazë në 2015 deri në tetor 2024 janë kryer 3,343,629 vizita falas duke fuqizuar kujdesin shëndetësor universal, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve në kujdesin parësor dhe më e rëndësishmja, ka mbajtur nën kontroll prirjet në rritje të sëmundjeve jo të transmetueshme.