Numërimi mbrapsht ka nisur. Me hyrjen e nëntorit nis edhe muaji i rëndësishëm për kombëtaren e Shqipërisë, që do të vendosë fatin e saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë do të luajnë me 16 dhe 19 nëntor në “Air Albania”, dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare kundër Çekisë dhe Ukrainës.
Për të kaluar me sukses këto sfida, Sylvinho duhet të ketë në dispozicion lojtarët më në formë. Lidhur me këtë temë, trajneri I kombëtares ka marrë javët e fundit sinjale të rëndësishme pozitive sidomos nga sulmi.

Në këtë repart pritet të ketë rikthime të rëndësishme. Pas mungesës në ndeshjet e tetorit Myrto Uzuni dhe Rey Manaj janë gati. Dy sulmuesit kanë treguar se kanë hedhur pas krahëve dëmtimet, duke shënuar me vazhdimësi me skuadrat e tyre të klubeve.

Në tre ndeshjet e fundit me Granada në La Liga 2, Uzuni ka gjetur tre herë rrugën e rrjetës. Në të njëjtin nivel edhe Manaj, që në Superligën turke me Sivaspor ka realizuar tre herë në dy ndeshjet që ka luajtur pas rikthimit nga dëmtimi.

Edhe mesjava që lamë pas ishte shumë pozitive për lojtarët ofensivë të kombëtares kuqezi. Nedim Bajarami shënoi me Gllasgou Rejnxhërs në kampionatin skocez, ndërsa Ernest Muçi shënoi një gol spektakolar me Beshiktash në Turqi.

Jo vetëm kaq, pasi talenti duket se ka kaluar vështirësitë që e shoqëruan në nisje të sezonit, duke luajtur me vazhdimësi.