Me datë 27 nëntor 2024 u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut “Ministeriali i Ballkanit Perëndimor mbi Reformat në Administratën Publike”, ku u mblodhën përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit për të diskutuar mbi përmirësimin e shërbimeve publike, forcimin e transparencës dhe efikasitetit në administratë si dhe për të ndarë praktikat më të mira dhe përvojat e suksesshme në këtë fushë. Ky takim kishte si qëllim të promovonte bashkëpunimin rajonal dhe të inkurajonte reformat që do të kontribuonin në zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tema e këtij viti ishte “Qeverisja e Gjeneratës së ardhshme: Nxitja e inovacionit të shërbimeve publike në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë ku morën pjesë: Nedzad Salman (Ministër i Drejtësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë), Goran Minchev (Ministër për Administratën Publike së Maqedonisë së Veriut), Nalm Gjokaj (Ministër për Administratën Publike së Malit të Zi), Jelena Zaric Kovacevic (Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Serbi). Gjatë fjalimit secili foli për eksperiencën e tyre në vendet që përfaqësojnë në lidhje me digjitalizimin e proceseve në administratën publike dhe impaktin që kanë këto shërbime në përmirësimin e jetës së qytetare. Gjithashtu u përmend dhe pjesa e inovacionit në shërbimet publike ku është thelbësor për përmirësimin e efikasitetit, të transparencës dhe të cilësisë së shërbimeve, duke siguruar që nevojat e qytetarëve të plotësohen në mënyrë më të shpejtë dhe më efektive.

E pranishme në këtë konferencë ishte dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj Adea Pirdeni e cila e vuri theksin te reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë në fushën e digjitalizimit të 1247 shërbimeve elektronike në platformën eAlbania.

Moment kyç i këtij takimi ishte dhe ndarja e disa çmimeve për iniciativat në Ballkanin Perëndimor që kanë pasur ndikim te qytetarët dhe bizneset e rajonit.

Komisioni i Prokurimit Publik i Shqipërisë ishte i vetmi institucion nga Shqipëria që u vlerësua me çmimin e posaçëm të njohjes speciale për portalin e të dhënave të hapura (Open Data Portal) dhe manualet e ankesave të publikuara për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktor, Ky është vlerësimi i dytë ndërkombëtar nga SIGMA dhe RESPA për Komisionin e Prokurimit Publik të Shqipërisë, pas çmimit të tërhequr dy vite më parë nga 27 shator 2022 për sistemin e ankesave elektronike.

Ky projekt u dedikohet përparimeve të rëndësishme që ka bërë KPP në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës në prokurimet publike përmes digjitalizimit dhe publikimit të të dhënave sipas standardit OCDS. Ku ndër masat kryesore janë miratimi i dy manualeve ligjorë në mars 2024 për Operatorët Ekonomikë dhe Autoritetet/Entitetet Kontraktuese, që ofrojnë udhëzime të qarta hap pas hapi për procedurat e ankimimit, dhe publikimi i historikut të vendimeve 2010-2020, ku KPP është institucioni i parë në rajon dhe BE që publikon të dhëna në këtë format, duke përmirësuar eksesin publik dhe duke mbështetur standardet më të larta ndërkombëtare.

Ndërkaq, kryetari i këtij institucioni z. Jonaid Myzyri në emër të Komisionit të Prokurimit Publik falënderoi RESPA dhe SIGMA-OECD për mundësinë e ofruar për t’u mbledhur dhe për të promovuar praktikat më të mira në Ballkanin Perëndimor.