Juristi Kreshnik Spahiu foli në lidhje me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Londër sot (24 Nëntor) me Diasporën shqiptare, mesazhet e dhëna prej tij, fjalimin dhe tematika të tjera.
Spahiu foli në lidhje me deklaratën e kreut të qeverisë për një ligj të posaçëm për shtetasit shqiptarë të regjistruar në Britaninë e Madhe si kosovarë, për t’i regjistruar si shqiptarë të Shqipërisë.
Spahiu shprehu mendimin dhe parashikimin se për shkak të infrastrukturës, mungesës së logjistikës dhe vështirësive të tjera, nuk do merrnin pjesë më shumë se 6-7% e emigrantëve në votime nga jashtë vendit, ose e thënë në numra, 50-70 mijë persona, pavarësisht se për cilën parti do votonin.
“Rama ditën e sotme dukej që i kishte kushtuar shumë rëndësi dhe dukej që ishte i fokusuar në marrjen e votës së Diasporës. Nuk jam i sigurtë se sa do të jetë përqindja e atyre që do të votojnë, por duket që Rama po bën një fushatë të drejtpërdrejtë politike dhe një fushatë elektorale të parakohshme.
Duke pasur parasysh që zgjedhjet elektorale do të jenë pas 7 muajsh, duket pak e çuditshme që kaq herët t’i kushtohet rëndësi, por mesa duket se pretendojnë sipas llogarive të tyre të rrisin ndjeshëm përqindjen kombëtare, duke marrë nga diaspora, duke qenë se ka edhe më shumë.
Gjithsesi për shkak të vështirësive që ka infrastruktura dhe llogjistika për votën e emigrantëve, unë parashikoj që emigrantët shqiptarë kudo në botë do të marrin pjesë në përqindje shumë të ulët në votimet parlamentare”, tha Spahiu në Studio Live të Report TV.
Kurse në lidhje me shifrat e mundshme në votimet e ardhshme, të vitit 2025 ai u shpreh: “Unë parashikoj se nuk do të kalojë shifra 6 apo 7 për qind.
Unë mendoj se nuk do të ketë më shumë se 50 mijë deri në 70 mijë votues shqiptarë nga e gjithë bota. Dhe këtu nuk flas për PS-në, por për votues që do të marrin pjesë në votime, pavarësisht se për cilën parti do të votojnë”.