Një humbje në shifrat 4-0 dhe për më tepër në shtëpi është gjithnjë e rëndë. E tillë është edhe për Kukësin, që pësoi disfatë në përballjen e së hënës me Vorën. Verilindorët vinin në këtë takim pas një ecurie pozitive në javët e fundit dhe shpresonin se do ta shfrytëzonin këtë fakt, por që për fatin e tyre të keq nuk ndodhi.

Megjithatë, në Kukës nuk kanë ndërmend ta bëjnë dramë, për vetë situatën në të cilën ndodhen këtë sezon, ku dihen problemet në organikë dhe ku diskutohej pjesëmarrja apo jo në kampionat. Në Kukës, kampionatin e tyre të vërtetë dhe që nuk duan të gabojnë e kanë me kundërshtarët e të njëjtit nivel. Për këtë arsye, çdo lënie pikësh me pretendentët dhe që kanë diferenca nuk shihet shqetësuese, të paktën deri në muajin janar kur edhe të rihapet merkatoja e dimrit. Për momentin, ekipi do të përpiqet që të grumbullojë sa më shumë pikë të mundet, që të paktën të mos zbresë më poshtë në renditje.

Ndeshja e radhës është me Apoloninë në transfertë, një skuadër që nuk e ka petkun e pretendentit dhe verilindorët do të përpiqen të mos dalin pa pikë. Fazën e parë ata janë mundur në shtëpi, por në Fier shpresojnë që të jetë një tjetër histori. Aktualisht, skuadra e Çelës mban vendin e nëntë me 13 pikë, dy më pak sesa Apolonia që qëndron dy vende sipër tyre në renditje.