Nga Baton Haxhiu

“Ju bëj thirrje qytetarëve të refuzojnë të informohen nga disa portale që fatkeqësisht janë bërë pjesë e një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës”.

Kjo deklaratë e Albin Kurtit nuk është vetëm një paralajmërim për qytetarët, është një taktikë politike për të përçuar mesazhin se ai është viktimë e një konspiracioni të organizuar, ndërsa të gjithë ata që e kritikojnë janë armiq të Republikës.

Në një kohë kur Kosova përballet me tensione të rënda në veri dhe me shpërthime që kërkojnë ekspertizë, kryeministri i vendit zgjedh të akuzojë mediat, duke shmangur një reflektim të vërtetë mbi përgjegjësinë institucionale dhe mbi gjendjen faktike.

Të gjithë e kemi pritur momentin kur në veri të Kosovës do të shpërthente një krizë e kurdisur, pikërisht në kohën kur Aleksandër Vuçiç kishte nevojë t’ia kthente borxhin politik Albin Kurtit. Pas tensioneve të mëparshme që i shpëtuan Vuçiçit nga protestat masive në Serbi, tash ishte radha e Kurtit për të përfituar nga një situatë që, si gjithmonë, lëndon qytetarët dhe i shërben pushtetit.

Dhe si zakonisht, fajin e kanë mediat.

Kjo nuk është hera e parë që liderët pa rezultate në qeverisje përdorin krizën për të mobilizuar mbështetjen popullore, duke e shndërruar sulmin ndaj lirisë së shtypit në një strategji për të mbyllur gojën e kritikëve.

Kur një territor si veriu i Kosovës, i kontrolluar “cep më cep” nga Policia e Kosovës, bëhet arenë e akteve që kërkojnë planifikim të avancuar, pyetja e parë logjike është: si mund të ndodhin këto në një hapësirë të tillë? Dinamiti nuk transportohet dhe nuk vendoset pa dijeni apo pa një dështim të qëllimshëm të sigurisë. Megjithatë, përgjigjja nga qeveria është një shpërqendrim i qëllimshëm – për të mos thënë manipulim – që fajin e adreson te një luftë imagjinare hibride.

Në këtë lojë, Vuçiç dhe Kurti duket se janë partnerë të heshtur. Çdo krizë në veri, për ironi, duket sikur i shërben të dyve. Vuçiç përdor tensionet për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të portretizuar serbët e Kosovës si viktima.

Kurti, nga ana tjetër, përfiton nga situata për të thirrur në unitet kombëtar, duke relativizuar çdo kritikë të brendshme dhe duke përforcuar rolin e tij si “mbrojtës i sovranitetit”. Kjo marrëdhënie toksike e nxitjes dhe përfitimit nga kriza ngjan me raste të njohura në histori, ku armiqësia e simuluar shërben për të mbajtur pushtetin e brendshëm.

Në Ballkan, ku retorika patriotike ka qenë gjithmonë një armë politike e fuqishme, nuk është e vështirë të shohësh se si tensionet në veri krijojnë përfitime të drejtpërdrejta për të dyja palët. Vuçiç, në një moment kritik për qeverisjen e tij, me protesta masive dhe kundërshti nga opozita, nxori Kosovën si temën kryesore në çdo fjalim. Dhe tani që Kurti po përballet me kritika në rritje për ekonominë, lirinë e mediave dhe dështimet politike, veriu është bërë platforma e tij për të kërkuar mbështetje.

Por pse duhet të ndalet këtu? Deklaratat si këto për “luftë hibride” janë të dizajnuara për të delegjitimuar çdo zë të pavarur që kritikon pushtetin. Sulmet ndaj mediave janë një taktikë klasike në regjimet që duan të kontrollojnë narrativën. E kemi parë këtë model te liderët që kërkojnë të mbijetojnë nëpërmjet krizave të fabrikuara. Nga Vladimir Putin, që akuzon vazhdimisht Perëndimin për sabotazh dhe përhapje të lajmeve të rreme, deri te liderët në Lindjen e Mesme, të cilët fajësojnë armiqtë e jashtëm për çdo krizë të brendshme.

A është kjo një rastësi? Vështirë të besohet. Në vitin 2023, kur Vuçiç ishte nën presion të madh nga protestat e brendshme, Kurti ndërmori veprime provokative në veri duke vendosur kryetarët në ndërtesat komunale. Për Vuçiçin, kjo ishte një dhuratë: situata shpërqendroi vëmendjen nga rrugët e Beogradit dhe e riktheu atë si mbrojtësin e serbëve. Tani, në kohën kur Kosova po përballet me tensione të rënda dhe Kurti ndodhet përballë një vale kritikash, shpërthimet në veri dhe narrativa e “luftës hibride” duket se funksionojnë në favor të tij.

E vërteta është e hidhur: këto kriza nuk janë produkt i dështimit të papritur, por i një kalkulimi të mirëpërcaktuar. Në një Ballkan të lodhur nga konfliktet, politikanët përdorin krizën si armë për të fituar vota. Kur pushteti mbrohet duke e shitur sigurinë e qytetarit si viktimë të një “armiku të padukshëm”, çdo kritik i arsyeshëm përfundon në anën e kundërt të historisë. Në Kosovë dhe Serbi, kur liderët flasin për paqe, ata ndërtojnë vetëm pushtetin e tyre mbi shpinën e qytetarit të zakonshëm, i cili mbetet viktimë e pafundme e kësaj loje cinike.

Kjo nuk është vetëm një luftë hibride ndaj mediave apo një sulm ndaj lirisë së fjalës; është një përpjekje e paramenduar për të kontrolluar narrativën dhe për të siguruar mbijetesën politike në kurriz të qytetarit të zakonshëm. Kur Albin Kurti akuzon portale dhe gazetarë si pjesë të një konspiracioni kundër Republikës së Kosovës, ai synon të polarizojë debatin publik, duke i ndarë qytetarët mes “patriotëve” që e mbështesin atë dhe “armiqve” që e kritikojnë. Kjo strategji është një recetë e njohur nga regjimet që kanë frikë nga transparenca dhe nga një shtyp i lirë.

Por qytetarët e Kosovës e dinë se veriu nuk mund të destabilizohet kaq lehtë pa një dështim, ose më keq, pa një tolerancë të qëllimshme nga autoritetet. Sulmi me dinamit në një zonë që pretendohet të jetë nën kontroll të plotë të institucioneve kosovare tregon qartazi ose dobësi, ose një lojë të dyfishtë. Në të dy rastet, qytetarët janë ata që paguajnë çmimin.

Dhe kur Kurti zgjedh të akuzojë mediat në vend që të adresojë pyetjet e rënda mbi sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve, ai shfaq një model të qartë të shmangies së përgjegjësisë.

Në anën tjetër, Vuçiçi nuk ka nevojë të bëjë asgjë të komplikuar. Ai luan kartën e viktimizimit të serbëve në Kosovë dhe përforcon narrativën se “serbët janë nën sulm.”

Kjo e ndihmon të zhvendosë fokusin nga problemet e brendshme të Serbisë, si protestat masive kundër tij dhe tensionet ekonomike. Ai e di mirë që çdo krizë në veri e mban atë të fortë politikisht. Dhe në mënyrë të heshtur, të dy liderët, Kurti dhe Vuçiç, ndihmojnë njëri-tjetrin. Kriza e njërit është shpëtimi i tjetrit.

E gjithë kjo ndodh në kurriz të qytetarëve, të cilët jetojnë në pasiguri, të ndarë mes propagandës dhe realitetit të ashpër. Media që akuzohet si armike është shpesh e vetmja hapësirë ku mund të bëhen pyetje reale. Por në një sistem ku kriza përdoret për të forcuar pushtetin, pyetjet nuk janë të mirëseardhura. Kjo është arsyeja pse, në një natë kritike për Kosovën, Kurti vendosi të sulmojë gazetarët dhe jo ata që detyrohen të mbajnë përgjegjësi për shpërthimet në veri.

Në fund, është e qartë: kjo nuk ka të bëjë me luftë hibride apo me mbrojtjen e sovranitetit. Kjo është një luftë për pushtet, një betejë për vota në emër të krizës. Në këtë lojë, qytetari është thjesht një viktimë në një fushë shahu të manipuluar nga liderët që kërkojnë të mbijetojnë duke krijuar armiqësi të reja dhe duke thelluar ndasitë e vjetra.

Në fund të fundit, kur liderët ndërtojnë politika mbi krizat, ajo që shkatërrohet është vetë besimi i njerëzve në institucionet e tyre. Kosova nuk ka nevojë për më shumë konflikte – ka nevojë për udhëheqës që të punojnë për qytetarin dhe jo për votën e tij të shantazhuar.