SPAK ka thirrur sot për të marrë në pyetje Ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili po hetohet pasi akuzohet për shitje të sekretit shtetëror tek kriminelët, dekonspirim i operacioneve të Policisë së Durrësit e bashkëpunim me ta për t’i siguruar vota në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare 2021.

Ish deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja u arrestua mbrëmjen e 20 tetorit 2024. Sot ai është thirrur për tu marrë në pyetje nga prokurori Adnan Xholi.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur tre akuza ndaj Çyrbjas, konkretisht për “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Çyrbja akuzohet se informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkohen nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në qytetin e Durrësit. Në kompensim të ketij favori, Çybrja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Për të njejtën çështje, me urdhër të SPAK u arrestua edhe Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim Altin Hajri, i cili po gjykohet në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Ish-deputeti i PS Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me grupin kriminal për të cilin akuzohet se ka lidhje. Por në seancat e mbajtuara në GjKKO Jurgis Çyrbja ka mbajtur qendrim mohues si përdorues i aplikacionit SKY ECC.

Arrestimi i Çyrbjas, deputet për Partinë Socialiste për pothuajse dy mandate, u bë dy javë pasi dha dorëheqjen nga mandati si ligjvënës i PS, të cilin e kishte prej vitit 2017 deri më 9 tetor 2024. Ndërkohë më parë ka mbajtur dhe postin e drejtorit të hipotekës.