Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kërkua nga trupi gjykues në Gjykatën Speciale, që të ruajë paanshmërinë dhe të mos mbajë anën e Prokurorisë.
Ata kanë thënë se janë shkelur të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe tribunal të pavarur.
“Është themelore që një trup gjykues jo vetëm të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por gjithashtu të sigurojë dukjen e paanshmërisë. Pyetjet e pakufizuara gjyqësore ndaj dëshmitarëve, po rrezikojnë paanshmërinë në këto procedura dhe po shkaktojnë paragjykim për mbrojtjen”, thuhet në dokumentin e publikuar në uebfaqen e Speciales.
Letra e dorëzuar më 13 nëntor, u publikua më 21 nëntor. Aty thuhet se kërkohet që të kufizohen paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
Katër të akuzuarit përmes mbrojtjes së tyre kanë thënë se koha e përdorur për pyetje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri prej katër ekipeve të mbrojtjes gjatë një blloku të dëshmitarëve.
Mbrojtja e quan më shqetësuese mënyrën se si bëhen pyetjet nga trupi gjykues dhe se ato nuk mund të perceptohen si të paanshme.
Të akuzuarit kanë kërkuar nga Paneli që të marrë masa për të siguruar që secili nga anëtarët e tij të veprojë me paanshmëri.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.