Këtë të martë rikthehen emocionet e forta të Champions League, ku gjigandë të futbollit europian do të zbresin në fushë.

Pasi është përmbyllur gjysma e fazës së re të ligës, tani më çdo hap fals mund t’i kushtojë shumë skuadrave në rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion.

Supersfida e mbrëmjes është ajo në “Alianz Arena” mes Bayernit të Mynihut dhe PSG. Dy skuadra që gjithmonë vijnë me ambicie maksimale ndonëse ky sezon në Ligën e Kampionëve nuk ka qenë më i miri për ta. Asnjë rezultat tjetër përveçse fitore, Pancerat gjermanë dhe gjelat francezë do të luajnë vetëm për 3 pikë.

“Besimi rritet çdo javë, kur shoh lojtarët e mi duke u stërvitur. Është e qartë se ne dhe Bayerni jemi dy skuadra shumë të ngjashme; duam të kemi kontrollin e topit, ushtrojmë presion shumë të lartë, dhe statistikat tona janë të ngjashme. Sot duhet të bëjmë maksimumin dhe njëra skuadër do të duhet të vuajë: ose ata, ose ne”, tha Luis Enrique.

“PSG, më pak i fortë se vitet e kaluara? Absolutisht jo. Përballemi me një nga klubet më të mëdha në Evropë. Ata kanë lojtarë të mëdhenj dhe një trajner të klasit botëror. Është një ekip shumë i talentuar. Shumë lojtarë do të arrijnë nivelin e Messit, Neymar, Ibrahimovic në vitet në vijim. Kur ata kanë topin, rreziku është mjaft i madh, janë vërtet shumë të mirë. dhe nuk pres një ndeshje të mërzitshme”, u shpreh Company.

Një tjetër ndeshje e bukur është ajo mes surprizës së këtij edicioni , portugezëve të Sportingut, që këtë herë do të kenë përballë anglezët e Arsenalit. Ekipi nga Lisbona që momentalisht është në vendin e dytë me 10 pikë, kërkon një tjetër rezultat pozitiv, me në krye “makinerinë” e golave Viktor Gyökeres, që synon të bëjë detyrën edhe ndaj Arsenalit.

Milani i Paolo Fonsecas përballet me Slovan Bratislava. Kuqezinjtë janë të dënuar për të fituar pasi në rast të një tjetër hapi fals llogaritë për të kaluar më tej mund të vështirësohen. Morata është mungesa e vetme për Fonsekën që me shumë gjasa në majë të sulmit do ta nis me Tammy Abraham.

Në takimet e tjera, Sparta e Pragës ku luan dhe Qazim Laçi do të përballet me Atletiko Madridin. Mesfushori kuqezi pritet të jetë titullar ndërsa tre lojtarët e tjerë shqiptare, Tuci, Krasniqi dhe Rrahmani do ta nisin nga stoli.

Barcelona pas dy ndalesave në kampionat, synon të rikthehet te fitorja në Champions. Katalanasit përballen me francezët e Brest dhe ndonëse kanë shumë mungesa, për spanjollët nuk ka justifikime dhe synim kanë vetëm tre pikë.

Në takimet e tjera, Manchester City për të kaluar krizën do fitoren përballe Feynoord, Atalanta luan me Young Boys ndërsa Leverkusen sfidon Salzburg.