Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti sot Drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar
Ministri i Drejtësisë, përmes rrjeteve sociale ndau detaje rreth takimit të tij me Ann Fransen, Drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës, dhe delegacionin e prokurorëve dhe magjistratëve belgë që vizituan Shqipërinë.
Manja vlerësoi bashkëpunimin e fortë mes dy qeverive, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për intensifikimin e përpjekjeve kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
“Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy qeverive tona, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”, shkruan Manja.
Ai nënvizoi vlerësimet e larta të delegacionit belg për profesionalizmin dhe integritetin e punonjësve të SPAK në luftën kundër krimit dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme. Ai e siguroi znj. Fransen për përkushtimin e Shqipërisë për ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale.
“Si ish-Prokuror dhe Ministër i Drejtësisë, ishte kënaqësi të dëgjoja nga miqtë belgë vlerësimin më të lartë për profesionalizmin, integritetin dhe punën e kolegëve të tyre në SPAK, në luftën kundër krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme. E sigurova Znj. Fransen për përkushtimin tonë të palëkundur në ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale”, vijon Manja.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për një sistem drejtësie të fortë dhe për një shoqëri më të sigurt, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, mbylli postimin e tij Manja.