SHKODËR- Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër më 30 tetor i ka kaluar për hetim SPAK-ut. Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup kriminal, vepër që është kompetencë e SPAK.

Në atentat u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët mendohet se ishin dhe shënjestra e atentatit. Po ashtu humbën jetën dhe dy kalimtarë të rastit, një çift bashkëshortësh, të cilët u përplasën nga makina e viktimave.

Referuar hetimeve, gazetari i ABC News Simon Shkreli raporton se gjashtë persona janë shpallur në kërkim për këtë ngjarje kriminale, e cila tronditi Shkodrën.

“Atentati dyshohet se është kryer nga gjashtë persona, të cilët janë shpallur në kërkim. Dyshohet se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal, vepër kjo, e cila është dhe kompetencë e SPAK”, tha ai./